Benedikti XVI përshkruan figurën e Pjetrit të Nderueshëm, abat i Klyni.
(14.10.2009 RV)“Në Clyni nuk pati asnjë abat, që të mos ishte i shenjtë”
– pohonte më 1080 Papa Gregori VII e ripohoi sot Papa Benedikti XVI. Por ndërmjet
tyre, spikat në mënyrë të veçantë personaliteti i Pjetrit Venerabile, të cilin Ati
i Shenjtë ua paraqiti shtegtarëve si shembull e model gjatë audiencës së sotme të
përgjithshme. I lindur rreth vitit 1094 në zonën franceze të Alvernies, hyri që
i njomë në manastirin e Sauxillanges, ku u bë murg e, më pas, i parë kuvendi. Në
vitin 1122 u zgjodh abat i Klyni-t e në këtë detyrë mbeti deri kur vdiq, ditën e
Krishtlindjes 1156, ashtu siç kishte dëshiruar. Dashuronjës i paqes – shkruan biografi
i tij Rodolfi – fitoi paqen në lumninë e Zotit, në ditën e paqes”. I pajisur me
talent të shquar letrar, la pas një mori veprash: Epistola e Këngë të përshpirtshme,
kushtuar sidomos, Eukaristisë e Zojës së Bekuar. Po kujtojmë vetëm disa nga mendimet
e tij, me vlerë për çdo njeri, në çdo kohë: Thoshte: “Me ata që e urrejnë paqen,
duhet të jemi, mundësisht, njerëz paqësorë!” (Ep. 100, 1c fq. 261). Ndërsa
për vete shkruan: “Nuk jam nga ata, që nuk kënaqen me fatin e tyre... shpirti i
të cilëve tronditet gjithnjë nga dyshimi... që ankohen se të gjithë të tjerët rrijnë
duarkryq e vetëm ata dërmohen duke punuar!”(Ep. 182, p 425). Aktuale
porosia e Abatit mesjetar: “Nga një njeri mund të fitosh shumë më tepër duke e
duruar, sesa duke ia nxirë jetën vazhdimisht”. (Ep. 172, 1c., fq. 409). Me
që, për arsye të detyrës, i duhej të bënte udhëtime të vështira në Itali, Angli, Gjermani
e Spanjë, gjë që e shkëpuste dhimbshëm nga qetësia kundruese, rrëfen: “Endem
nga një vend në tjetrin, lodhem, shqetësohem, trazohem, i zvarritur andej e këndej,
duke u kujdesur jo për punët e mia, por për ato të të tjerëve, gjë që shkakton një
trazim jo të vogël në shpirtin tim” (Ep. 91, 1c., fq 233). E shton:
“Por, nuk ushqehet nga shpirti i Jezusit, ai që nuk i ndjen plagët e korpit të
Krishtit, kudo që hapen!”(Ep. 164, 1.c., fq. 347).Pjetri i Nderueshëm kishte
shumë dëshirë për veprimtari letrare e jo më pak, talent. Nisi t’i shkruajë reflektimet
e tij, i bindur se penda duhej përdorur si parmendë për të hedhë, në arën e kartës,
farën e Fjalës Hyjnore” (Ep.20, fq. 38): nuk qe teolog sistematik, por mbeti
kërkues i madh i misterit të Hyjit. Teologjia e tij i ka rrënjët në lutje, sidomos
në atë liturgjike. Ndërsa ndërmjet mistereve të Krishtit, pëlqente më shumë atë të
Shndërrimit, në të cilin parapërfytyrohet, misteri i Ngjalljes.