2009-10-13 15:32:47

Të përmirësohet shëndetësia në Afrikë, që të zhvillohet kontinenti: kjo ishte tema kryesore e seancës së sotme sinodale në Vatikan


(13.10.2009 RV)RealAudioMP3 Problemet shëndetësore të Afrikës ishin sot në qendër të Sesionit të 13-të të Sinodit II të Ipeshkvijve për Afrikën, që po vazhdon në Vatikan mbi temat e pajtimit, drejtësisë e paqes. Në veçanti, prelatët u ndalën në plagën e Sidës e në tregtinë e ilaçeve të paligjshme. U përsërit gjithashtu, nevoja për të respektuar vlerën e jetës, së kërcënuar nga politikat mbi lindjet.
Një denoncim tjetër, që vjen nga Sinodi, ka të bëjë me fëmijët ushtarë, sidomos në Ugandë. 20 mijë ose 30 mijë, askush nuk e di shifrën e saktë të të vegjëlve që detyrohen të luftojnë, që bëhen skllevër të shfrytëzimit seksual, që vuajnë urinë e nuk mund të arësimohen e as të kurohen.
Një skenar tragjik ai i Çadit, ku pajtimi duket se është i mundur vetëm duke dhënë para, duke u kthyer kështu në tregti. Ndoshta një konkordat ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe vendit, do të ndihmonte në forcimin e Kishës lokale, theksuan etërit sinodalë.
Lajme të mira vijnë nga fronti i rinisë. Ditët kombëtare të Rinisë janë tashmë një realitet në Afrikë dhe i shtyjnë të rinjtë të bëhen dëshmitarë të pajtimit, që i kapërcen kufijtë gjeografikë, racat e kulturat.
Më pas, në Sinod u fol për dialogun me Islamin dhe u nënvizua se ai mund të vazhdojë vetëm përmes bamirësisë e dashurisë. Por, është e nevojshme të luftohet për shtrirjen e lirisë fetare në krejt botën myslimane.
Më tej, etërit sinodalë u ndalën në shfrytëzimin e burimeve natyrore të Afrikës nga ana e shoqërive të huaja shumëkombëshe. Kisha nuk mund të qëndrojë indiferente para atyre që ndezin konflikte ndëretnike për të shitur armë. Një thirrje edhe për punëtorët kinezë në Afrikë, për të cilët Sinodi kërkon një baritori për emigrantët, për të mundësuar ungjillëzimin e tyre.
Së fundi, prelatët kërkuan autofinancimin e Kishave të veçanta në Afrikë, për të qenë të pavarura nga Perëndimi. Por cilat janë premisat për të qenë “kripa e drita” e Afrikës? Të dëgjojmë kryetarin e Shoqatës së Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Perëndimore, kardinalin Peter Koduo Apiah Turkson:
Duke e konsideruar rolin që duhet të luajmë si një lloj dëshmie, duhet t’i bëjmë tonat fjalët e Gjon Palit II, i cili duke u folur laikëve të Afrikës thotë se duhet të përpiqen të sjellin ndryshime në ambientin ku gjenden. Dy metaforat që përmendët janë shumë të fuqishme: “kripa” bën të ndryshojë gjella e tretet në këtë proces; “drita” ndriçon e më pas humbet. Bëhen si imazhe të mundimeve, si Mundimet e Krishtit. Nëse afrikanët e duan shoqërinë e tyre, duhet të formojnë një Kishë si familje të Zotit, duke lënë mënjanë abuzimet e pushtetit, të cilat i kanë pësuar mbi vete për shkak të politikanëve, ushtarakëve… Duhet të harrojnë, të falin. Kështu kuptohet ç’do të thotë të jesh “kripë dhe dritë”. Duhet të heqim dorë nga diçka për t’i bashkuar njerëzit. Kjo është ftesa që na vjen nga këto dy imazhe.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.