2009-10-13 13:46:20

Papa Benedikti XVI do të vizitojë Sinagogën e Romës


(13.10.2009 RV)Papa Benedikti XVI do të shkojë për vizitë të dielën, më 17 janar 2010, në Sinagogën e Romës. Lajmi u dha sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit.
Kjo vizitë ishte lajmëruar prej kohësh, megjithëse akoma nuk dihej data. Takimi me bashkësinë izraelite të kryeqytetit italian, shpjegon komunikata e Vatikanit, do të bëhet me rastin e Ditës së 21-të për thellimin dhe zhvillimin e dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, si edhe me rastin e Festës së “Purimit të Romës”, që bie pikërisht në atë datë. Është një përkujtim i hebrenjve të Romës, të cilët në vitin 1793, para hyrjes së trupave franceze, u rrethuan nga njerëzit e kryeqytetit, që u përpoqën t’i vinin zjarrin getos, pavarësisht nga rojet që kishte dërguar Shteti papnor për ta mbrojtur. Në atë çast, qielli u errësua dhe filloi një shi i rrëmbyer që e shuajti zjarrin. Hebrenjtë e përkujtojnë ngjarjen si mrekulli, e cila njihet edhe me emrin “Moed i Plumbit”, nga ngjyra e plumbtë e qiellit.








All the contents on this site are copyrighted ©.