2009-10-13 14:11:28

India: Tirana ta harrojë Nënë Terezën


(13.10.2009 RV)Marrë nga Gazeta Shqiptare, 12. 10. 2009
Autoritetet zyrtare në Indi e kanë cilësuar të pamundur realizimin e kërkesës së kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për kthimin në Shqipëri të eshtrave të Nënë Terezës. Gazeta indiane "Calcutta Telegraph" shkruan në numrin e saj të djeshëm, duke iu referuar burimeve zyrtare në Nju Delhi, se "Nënë Tereza ishte një shtetase indiane dhe do të jetë shumë komplekse dhe e vështirë të pranohet kërkesa shqiptare për kthimin e eshtrave në Shqipëri". Më tej citohet edhe zëdhënësi i misionit humanitar që drejtoi Nënë Tereza, duke deklaruar se nuk mund të japë një koment specifik në lidhje me këtë çështje. Ai thotë se deri tani nuk kanë marrë ndonjë kërkesë të tillë, por shtoi se në rast se vjen, duhet të vendosë misioni humanitar nëse varri i Nënë Terezës të lëvizë. Gazeta indiane shkruan më tej se Shqipëria dhe Maqedonia janë dy shtete që pretendojnë ende për nacionalitetin e Nënë Terezës.
Berisha
Tirana zyrtare po synon kthimin në atdhe të eshtrave të Nënë Terezës. Qeveria Berisha ka kërkuar nga India që eshtrat e saj të kthehen në atdhe në gushtin e ardhshëm, kohë që përkon dhe me 100-vjetorin e lindjes së saj. "Negociatat me qeverinë e Indisë do të intensifikohen gjatë këtij viti", - tha kryeministri Berisha në një konferencë të posaçme shtypi të mbajtur dy ditë më parë. Shefi i ekzekutivit bëri gjithashtu të ditur se për këtë qëllim është ngritur një komision shtetëror, i cili do të merret me procedurat zyrtare të kthimit të eshtrave në atdhe të Nënë Terezës, si edhe të shumë personaliteteve më të mëdha, më të shquara e me kontributin më madhor në historinë e kombit shqiptar. "Qeveria vendos të kthejë në Shqipëri eshtrat e Mbretit Ahmet Zogu. Qeveria shqiptare merr këtë vendim, duke njohur Ahmet Zogun kryeministër, president dhe më vonë, Mbret i shqiptarëve, si arkitektin e shtetit modern shqiptar, si njërin prej personaliteteve më të mëdha, më të shquara, me kontribut më madhor në historinë e kombit shqiptar", theksoi Berisha në daljen para mediave. Të njëjtën gjë kreu i qeverisë premtoi edhe për eshtrat e Fan Nolit dhe Mit'hat Frashërit. "Ju keni të drejtë, nuk janë sjellë në vend eshtrat e Nolit. Por ka edhe një problem, si primar i Kishës Ortodokse shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Noli frymëzoi dhe frymëzon diasporën shqiptare në atdhetarinë e saj, në dashurinë e saj të pakufishme ndaj Shqipërisë. Ndaj dhe Kisha shqiptare e Bostonit e ka Nolin realisht si shenjtorin e saj të pashpallur. Por qeveria shqiptare do të nisë përpjekjet për të kthyer në Shqipëri burrin e madh të Kombit, Mit'hat Frashërin dhe personalitete të tjera", theksoi kreu i qeverise.
Tedi Blushi










All the contents on this site are copyrighted ©.