2009-10-13 15:46:40

Bisedime të ethshme në Honduras për zgjidhjen e krizës politike.


(13.10.2009 RV)Përfaqësues të qeverisë de facto të Hondurasit të udhëhequr nga Roberto Mikeleti dhe përfaqësues të presidentit të rrëzuar me grusht shteti Manuel Zelaja u ulën sot përsëri rreth tavolinës për të diskutuar për një zgjidhje paqësore të krizës politike që filloi më 28 qershorin e kaluar. Deri tani bëhet e ditur se dy delegacionet janë dakord për afro 60 përqind të temave që po diskutohen, ndër të cilat bën pjesë edhe marrëveshja për krijimin e një qeverie të bashkimit kombëtar dhe krijimin e disa komisioneve të përbashkëta për verifikime. Vilma Morales, një nga anëtarët e delegacionit të presidentit Mikeleti tha për shtypin se zgjidhja e krizës mund të jetë shumë afër. Sidoqoftë, tani për tani, pika më kritike në diskutim e sipër është kthimi i presidentit të rrëzuar Zelaja në postin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.