2009-10-12 17:30:45

Në Sinodin për Afrikën, thirrja për shfuqizimin e ligjit mbi dënimin me vdekje dhe padija për grushte ‘të heshtura’ shteti.


(12.10.2009 RV)RealAudioMP3 Grushtet ‘e heshtura’ të shtetit dhe nevoja për qeverisje të mirë, ishin, sot paradite, në qendër të vëmendjes në Seancën e 11-të Sinodit II të Ipeshkvijve për Afrikën, që vijon punimet në Vatikan rreth temave të pajtimit, të drejtësisë e të paqes. Në praninë e Benediktit XVI prelatët reflektuan sot edhe mbi temat e emigrimit të brendshëm dhe marrëdhëniet me fetë tradicionale afrikane. Në mbyllje të punimeve, nga Salla e Sinodit u bë thirrje për shfuqizmin e plotë të ligjit mbi dënimin me vdekje.
Duke bërë këtë thirrje, Kisha ripohoi e kujtoi se zëri i Saj është më i domosdoshëm se kurrë përballë krimeve, si trajtimet brutale të robërve të luftës, vrasja e civilëve gjatë konflikteve dhe rekrutimi i fëmijëve ushtarë. Udha e pajtimit – pohuan Etërit Sinodalë – kalon përmes mospranimit të këtyre formave të dhunës, me bindjen se lufta nuk mund t’i përligjë kurrë krimet kundër njerëzimit.
Duke u nisur, pastaj, nga rasti i Jugut afrikan, Sinodi reflektoi mbi grushtet e shtetit, që kryhen ‘në heshtje të plotë’, edhe prej partive, të cilat, ndoshta, janë zgjedhur rregullisht nga populli, por që pastaj nuk e dëgjojnë zërin e tij, bëhen plotësisht një me shtetin e nuk duan ndryshime demokratike në qeverisje. Prandaj u ripohua urgjenca e reformave për një sistem gjyqësor të drejtë, sepse qeverisja e mirë nuk është vetëm detyrë e dorës së parë, por edhe nevojë urgjente.
E në këtë fushë, Kisha ka të drejtë të plotë të ngrejë zërin, që të dëgjohet më mirë nga të gjithë! Këtu nuk është fjala për ndërhyrje në fushën politike – theksuan Etërit Sinodalë – sepse Kisha flet për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve, bij të Zotit. Barinjtë nuk e kanë fare në mend t’u zënë vendet ekonomistëve apo politikanëve, por vetëm t’i ndihmojnë të gjithë besimtarët të jetojnë një jetë me të vërtetë të krishterë.
Në Sinod u fol, me shqetësim të natyrshëm, edhe për shpërnguljen e njerëzve brenda vendit, sepse është fjala për ravgimin e jo më pak se 40 milion njerëzve. Prandaj u urua që të gjitha Koneferencat Ipeshkvnore Afrikane të pajisen me njohuri baritore, që kanë të bëjë me lëvizjen njerëzore, duke përfshirë në këtë veprimtari, edhe ata që emigrojnë jashtë, gjejnë punë e kështu mund të japin ndihmesën e tyre ekonomike për zhvillimin e vendit-amë. Në qendër të vëmendjes, edhe fetë tradicionale afrikane, që duhen shikuar si burim për farkëtimin e kulturës së pajtimit.
Pastaj Etërit Sinodalë arritën në disa përfundime, si themelimi i një fondi dioqezan, zonal e kontinental të solidaritetit, të drejtuar nga Karitasi, që ta ndihmojë Afrikën, duke e liruar nga ndihmat e perëndimit; krijimi i fakulteteve universitare për paqen e pajtimin; nxitja e devocionit për Mëshirën Hyjnore, që mund të ndihmojë shumë në dialogun me Islamin.
E akoma, Etërit kërkuan vëmendje edhe për fenomenin e magjisë, që u shkakton shumë vuajtje njerëzve që merren me të, duke i izoluar e duke i kthyer në viktima të dhunës, sepse të akuzuar si njerëz që kanë pushtet të mbinatyrshëm. E vëmendje iu kushtua edhe të rinjve që, përmes përhapjes më të gjërë të Doktrinës Shoqërore të Kishës, të mësojnë si punohet për paqen. Në planet baritore u shënua, veç të tjerash, edhe nevoja për theksimin e sakramentit të rrëfimit.Hapësirë të mjaftueshme në diskutime patën edhe gratë e fëmijët, siodomos jetimët e luftës, që duhet të mirëpriten në të gjitha strukturat kishtare, sepse shumë prej tyre kanë një ‘Nënë’ të vetme-Kishën.







All the contents on this site are copyrighted ©.