2009-10-12 17:31:00

Nga Gdańsku, mesazhi përfundimtar i Ditëve shoqërore katolike: kurrë më luftë e dhunë


(12.10.2009 RV)RealAudioMP3 Solidariteti është ardhmëria e Evropës. Duke nisur nga Gdańsku (Dancigu), ku dje përfunduan Ditët e para shoqërore katolike në Kontinent, bindja e thellë që udhëhoqi punimet, do të frymëzojë tani Kishat e veçanta dhe 29 vendet pjesëmarrëse, përmes mesazhit përfundimtar, i cili u lexua në një nga vendet më simbolike të qytetit polak. Binte shi e drurët përkuleshin nga era e fortë në parkun e Tre Kryqeve, që të kujtojnë gjithë të rënët në Luftën II Botërore. Por të 600 delegatët ishin të gjithë aty. Për të ripohuar, me praninë e tyre, përveçse me fjalët e Mesazhit, thirrjen “Kurrë më luftë e dhunë!”. Solidariteti, temë e këtyre Ditëve, është ilaçi më i mirë, që i kundërvihet luftës e dhunës. Solidaritet në tri drejtime, siç pohon teksti:
Ndërmjet breznive, për të ndihmuar familjen e bazuar mbi martesën, për të mbrojtur jetën njerëzore, nga zënia, në vdekjen e natyrshme dhe për t’i pranuar, me dashamirësi, të gjithë ata, që kanë nevojë, duke përfshirë edhe emigrantët.
E pastaj, solidaritet ndërmjet qytetarëve të Evropës, për ta vënë ekonominë në shërbim të të gjithëve dhe në mbrojtjen e më të ligështve, përmes masave më të suksesshme për pakësimin e varfërisë dhe të përjashtimit nga radhët e shoqërisë.
Së fundi, solidaritet i Evropës me pjesën tjetër të botës, posaçërisht me Afrikën, për zhvillimin e një tregtie të barabartë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë evropian, si dhe për promovimin e paqes e të drejtësisë, bazuar mbi respektin e dinjitetin e njeriut.
“Të gjithë qytetarët evropianë, që i pranojnë këto perspektiva – nënvizohet në mesazh – duhet të impenjohen personalisht për realizimin e tyre e të marrin mbi vete edhe përgjegjësitë politike, në nivelet përkatëse”.
Duhet të shmangim çdo rrezik çkurajimi e nihilizmi të ri – përfundon teksti . Duhet të kemi besim në aftësitë që ka çdo njeri për t’i dhënë, me kontributin e tij, formë të re Evropës së bazuar mbi vlerat.  







All the contents on this site are copyrighted ©.