Kisha katolike festoi shën Serafinin nga Montegranaro, rregulltar.
(12.10.2009 RV)Serafini lindi në vitin 1540 në Montegranaro, në Marke. Prindërit
e tij: Girolamo Rapanjano dhe Teodora Gjovanuzi, ishin thellësisht të krishterë, por
edhe tepër të varfër. Nuk mundën, prandaj, ta shkollojnë djalin që i fali Zoti. Fëmija
shumë shpejt u detyrua të ruante grigjat e një fshatari të pasur. Kështu i kaluan
vitet e para të jetës, derisa mbushi 18 vjeç, kur trokiti në portën e kuvendit françeskan
të Tolentinos. Pas disa vështirësish, u pranua ndërmjet fretërve françeskanë
kapuçinë dhe bëri noviciatin në Jesi. Shtegtoi në të gjitha kuvendet e Markeve sepse,
pavarësisht nga vullneti i mirë dhe kujdesi i jashtëzakonshëm që tregonte në kryerjen
e detyrave që i besoheshin, nuk ia dilte mbanësh t’i kënaqte eprorët as sivëllezërit,
të cilët nuk ia kursenin vërejtjet e qortimet, shpesh edhe të padrejta. Por ai iu
përgjigj gjithnjë çdo qortimi me një butësi çarmatosëse. Mbeti gjithë jetën i
varfër, i përvujtë, i pastër, i gatshëm për ta poshtëruar veten e për të lartuar të
tjerët. Gjatë kryerjes së detyrës si portier, në kontakt me njerëz të të gjitha shtresave
shoqërore, diti gjithnjë të gjejë fjalët e përshtatshme për secilin, të sillej me
delikatesë, duke pasur një dëshirë të vetme: t’i udhëhiqte shpirtrat drejt Zotit,
t’u hapte jo vetëm portën e kuvendit, po sidomos atë të Parajsës. Në vitin 1590
Serafini u vendos përfundimisht në Askoli Piçeno. Qyteti e desh aq shumë, sa në vitin
1602, kur u përhap lajmi mbi transferimin e tij të mundshëm, autoritetet u shkruan
eprorëve të mos e largonin. Kasnec i vërtetë i paqes e të mirave, kishte një ndikim
të jashtëzakonshëm mbi të gjithë ata që takonte. Fjala e tij pajtonte grindje alarmante,
zhdukte urrejtjen, edukonte virtytet. Lutej, përvuhej, punonte, duronte, ndërsa
krahas lëvdatave, nuk i munguan kurrë as qortimet. Ashtu si nuk i mungoi kurrë as
ndihma e Hyjit, të cilin e pat gjithnjë pranë kudo punonte: në kuzhinë, te porta,
në kopsht. Zoti i dha hirin të bëhej burim i paimitueshëm ngushëllimi për të gjithë.
E ai ishte gjithnjë i kënaqur, në sa dinte të lexonte vetëm dy libra: të Kryqëzuarin
e Rruzaren. Ishte 64 vjeç e fama e shenjtërisë së tij i kishte kaluar kufijtë
e Askolit, kur kërkoi me ngulm vajimin shenjt, ndërsa askush nuk e besonte se do të
vdiste. Por ai vdiq pak kohë pasi kishte marrë shujtën e shtegtarit, më 12 tetor 1604.
Menjëherë pas vdekjes, zëri i popullit që fliste aq shumë për shenjtërinë e tij, shkoi
deri në vesh të Papës Pali V, i cili autorizoi ndezjen e një llambe mbi varrin e tij.
U shpall shenjt nga Klementi XIII, më 16 korrik 1767.