2009-10-12 17:30:32

Ditë feste dje për Kishën universale, e cila u pasurua me pesë shenjtorë të rinj, që na kujtojnë se shenjtëria kërkon të jetosh kundër rrymës.


(12.10.2009 RV)RealAudioMP3 Ditë feste për Kishën universale, e cila u pasurua me pesë shenjtorë të rinj, shpallur dje paradite nga Papa, gjatë kremtimit të një Meshe solemne në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me shtegtarë nga mbarë bota. U lartuan në nderimet e elterit të lumët Zëgmund Shtensni Felinski, Françisko Kol i Gitart, Jozef Damian de Vëster, Rafael Arnaith Baron dhe Zhanë-Maria e Kryqit. Kush e pranon dhuratën e shenjtërisë – nënvizoi Papa – zgjedh rrugën që shkon kundër rrymës, duke jetuar sipas mësimeve të Ungjillit.
Në Engjëllin e Tënzot, më pas, Benedikti XVI u lut që bota të mos jetojë kurrë më tragjedi, si ajo e sulmit bërthamor mbi Hiroshimën e Nagasakin.

“Eja pas meje!” – është ftesa e Jezusit. “E kjo është thirrja e krishterë – shpjegoi Benedikti XVI – që buron nga propozimi i dashurisë së Zotit e që mund të realizohet vetëm kur edhe ne i përgjigjemi me dashuri”.
“Shenjtorët e pranojnë këtë ftesë, që kërkon shumë prej tyre, e vihen me bindje të përvujtë pas gjurmëve të Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur. Përsosuria e tyre në logjikën e fesë, nganjëherë e pakuptueshme në logjikën njerëzore, kërkon të mos e vësh më në qendër vetveten, por të zgjedhësh rrugën, që të çon kundër rrymës, duke jetuar sipas Ungjillit”.
E kështu bënë edhe të pesë shenjtorët, që u shpallën dje.
Zëgmund Shtensni Felinski, Ipeshkëv polak, themelues i Kongregatës së Motrave Françeskane të Familjes së Marisë, ‘dëshmitar i fesë dhe i kujdesit baritor’ – kujtoi Ati i Shenjtë – në kohë tejet të vështira për kombin e Kishën në Poloni, u dënua, në vitin 1863, pas pushtimit rus, me njëzet vjet internim në Siberi, prej nga nuk mundi të kthehej kurrë më në dioqezën e vet. Me besim të patundur në Provaninë Hyjnore, ai i lutej Zotit të na mbrojë jo nga trazimet e vuajtjet e kësaj bote, por të shumfishojë në zemrat tona dashurinë për Të:
“Dziś jego ufne i pełne miłości oddanie Bogu...
Sot jeta e tij, dhuruar Hyjit e njeriut, plot besim e dashuri - nënvizoi Papa – bëhet shembull i shkëlqyer për mbarë Kishën”.
Po kështu edhe rregulltari domenikan spanjoll, Françisko Kol i Gitart, i cili, më 1856 themeloi Kongregatën e Motrave Domenikane të Zojës Nunciatë, për t’u dhënë fëmijëve dhe të rinjve një edukim të gjithanshëm. Iu desh të vuante shumë, për shkak të ligjeve antiklerikale të epokës në vendin e tij. E detyruan të largohej nga kuvendi. Por kjo nuk e pengoi t’u qëndronte besnik, për gjithë jetën, kushteve që i kishte bërë Zotit para elterit:
“Su pasión fue predicar, en gran parte de manera itinerante...
Pasioni i tijkujtoi Papa – ishte të predikonte, më të shumtën si predikatar endacak, duke përdorur formën e ‘misionit popullor’, me qëllim që të kumtonte e të gjallëronte në gjirin e popullit e të qytetarëve të Katolonjës, Fjalën e Zotit, duke i ndihmuar, kështu, njerëzit, për një takim të thellë me Të”.
Ndërsa rregulltari belg, Jozef Damian de Vëster (1840-1889), që gjithashtu jetoi në gjysmën e dytë të tetëqindës, ishte misionar i Kongregatës së Zemrës së Krishtit e të Zojës.
Ndonëse me frikë e ngurrim - tha Benedikti XVI – vendosi të shkojë në ishullin Molokai, në shërbim të të gërbulurve që, të mbledhur atje, qenë braktisur nga të gjithë. Kështu nisi të jetojë mes njerëzve, që vuanin nga sëmundja e tmerrshme, në këtë ishull tragjik, ku shumë shpejt e ndjeu veten si të ishte në shtëpi të vet:
"Il nous invite à ouvrir les yeux sur les lèpres …
Na fton t’i hapim sytë për të parë gërbulat që shpërfytyrojnë fytyrën e vëllezërve tanë e na kërkojnë edhe sot, më shumë se bujarinë tonë, dashurinë e pranisë sonë pranë tyre, në shërbim të tyre”.
Posaçërisht tërheqëse për të rinjtë, të cilët nuk kënaqen me pak kur kërkojnë të vërtetën dhe gëzimin, të cilat mund të gjinden vetëm në dashurinë e Zotit, është figura e Rafael Arnaith Baron, oblat spanjoll i Urdhërit çisterçens, që jetoi në shekullin e kaluar. I ri plot gjallëri e zgjuarësi, bir i një familjeje të kamur, zgjodhi jetën e manastirit, ku luftoi kundër diabetit derisa vdiq, në moshën 27 vjeçare:
“Vida de amor... He aquí la única razón de vivir…
“Një jetë plot me dashuri... është e vetmja arsye për të jetuar”, thoshte Vëlla Rafaeli, e këmbëngulte: “ Gjithçka buron nga dashuria e Zotit”.
E fundmja e pesë të lumëve, shpallur shenjtorë, Zhanë Maria e Kryqit, lindur më 1792 në Bretanjën franceze, themeluese e Kongregatës së Motrave të Vogla të të Varfërve, ia kushtoi gjithë jetën njerëzve të moshuar, të vetmuar, pa asnjë ndihmë:
Son charisme est toujours d’actualité, alors que tant de personnes âgées souffrent…
Karizma e saj – tha Benedikti XVI – vijon të jetë aktuale edhe sot e kësaj dite, kur shumë njerëz të moshuar vuajnë nga varfëria e vetmia e, nganjëherë, braktisen deri nga familjet e tyre”.
Në përfundim, urimi i Benediktit XVI që shembujt e ndritur të pesë shenjtorëve të rinj të na prijnë gjatë gjithë jetës sonë, për ta bërë kështu “këngë lavdërimi për dashurinë e Zotit”.
Në mbyllje të kremtimit eukaristik, para se të thoshte lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa iu drejtua mijëra besimtarëve të mbledhur në Shesh, duke u kujtuar Ditën e ardhshme botërore të mospranimit të mjerimit e, në vijim, përshëndeti në mënyrë të posaçme një grup njerëzish, që shpëtuan gjallë pas sulmit bërthamor mbi Hiroshimën e Nagasakin:
“I pray that the world may never again …Lutem – tha Ati i Shenjtë – që bota të mos jetë kurrë më dëshmitare e një shkatërrimi të tillë masiv jetësh njerëzore të pafajshme”.
“Virgjëra Mari – përfundoi Benedikti XVI – është ylli që e drejton çdo shtegtim drejt shenjtërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.