2009-10-12 16:05:56

Asgjë e re për misionin diplomatik amerikan në Lindjen e Mesme


(12.10.2009 RV)RealAudioMP3 “Duhen akte konkrete për rifillimin e bisedimeve për paqen në Lindjen e Mesme”. Këto janë fjalët e të dërguarit të veçantë amerikan për rajonin, Xhorxh Miçëll, pas dështimit të misionit të tij në Jeruzalem. Fjalëve të përfaqësuesit të Uashingtonit u përgjigjet pesimizmi i diplomacisë egjiptiane, e cila mendon se për fillimin e dialogut duhet kohë e gjatë. Pengesë e rëndësishme në këtë proces është mungesa e bashkimit ndërmjet palestinezëve. Folëm me një eksperte të Lindjes së Mesme, pedagoge të historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Firences në Itali, prof. Maria Gracia Enardu:
Misioni i Miçëllit nuk pati sukses e, për më tepër, në ditët kur Jeruzalemi ishte plot manifestime kundër rritjes së pranisë hebraike, sidomon në zonën lindore. Por, mendimin përfundimtar do ta japë zonja Klinton pas një jave, kur, pas vendimit të marrë në Uashington në takimin ndërmjet Obamës, Netanijahut dhe Abu Mazenit, u tha se pas një muaji, Sekretarja e Shtetit do të shkonte në vend e do të paraqiste një raport. Nga gjuha dhe përmbajtja e këtij raporti do të shihet nëse amerikanët e konsiderojnë gjendjen pa shpresë, apo parashikojnë ndonjë hap tjetër.
Sa po ndikojnë në këtë situatë gjendja e brendshme si në Izrael, ashtu edhe në Territoret palestineze?
Në teori, palestinezët duhet të bëjnë në janar si zgjedhjet për parlamentin, ashtu edhe për presidentin. Por nuk flitet për këto konsultime, gjë shumë shqetësuese. Nga ana izraelite, në qeveri është koalicioni i djathtë, i cili, nëse do të bënte hapa konkrete drejt palestinezëve, automatikisht do të binte në krizë. Pra, ekziston një lloj paralize e dyfishtë nga të dyja frontet. Shumë aktiv gjatë këtyre ditëve e shumë i shqetësuar ishte mbreti Abdallah i Jordanisë, i cili e paralajmëroi qeverinë izraelite se gjendja po del vërtet nga dora e sidomos, tha se është real rreziku që Lidhja Arabe të tërheqë planin e paqes, që parashikon njohjen e plotë të Izraelit nga të gjitha vendet arabe, nëse kthehet në kufijtë e vitit 1967.
Jemi mësuar me një bashkësi ndërkombëtare gjithnjë të impenjuar në çështjen izraelito-palestineze. A mund të themi se sot ka më tepër unitet në qëndrimet për zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme?
Do të thosha se ka më shumë ndarje. Bashkësia ndërkombëtare sheh njëkohësisht me vëmendje e me skepticizëm. Brenda saj ka vende që po fillojnë një politikë të re. Për shembull, Turqia, vend mysliman jo arab, gjithnjë mike e Izraelit, po tregon tani ftohtësi ndaj tij, si duke anulluar provat ushtarake të përbashkëta, si duke u marrë vesh me armenët, natyrisht me një marrëveshje që duhet parë nëse funksionon në praktikë. Gjithsesi, sjellja turke po shkakton shqetësime të mëdha në Izrael.







All the contents on this site are copyrighted ©.