2009-10-11 13:05:05

Sot me tetor kalendari kishtar përkujton Shën Aleksandër Sauli.


(11.10.2009 RV)Zoti e kishte pajisur me të gjitha të mirat. Ishte bir i një familjeje fisnike gjenoveze me lidhje të fuqishme, në saje të të cilave, krejt i ri, u emërua pazh i oborrit mbretëror të Karlit V, sundimtar i Evropës e i Amerikës, dmth i mbarë botës. Duhet të nisej, prandaj, për të filluar detyrën e re. Por ai nuk pranoi. Në vend që të shkonte në oborrin e mbretit, 17 vjeçari kërkoi të hyjë në radhët e Klerikëve Rregulltarë të Shën Palit, të njohur me emrin barnabitë, sepse banonin pranë kishës milaneze të Shën Barnabës. Ishin priftërinj që i lidhte një rregull, që jetonin në bashkësi e kishin si detyrë të studionin e të jipnin mësim, me një fjalë, ishin pikë referimi për risimin e jetës fetare.
“Kërkoj të pranohem – tha i riu – sepse dëshiroj t’i bindem plotësisht thirrjes së Zotit”. E në shenjë bindjeje, iu nënshtrua një prove nga më të pakëndshmet: doli në Sheshin e Tregtarëve i veshur si fisnik, me një kryq të rëndë mbi shpatulla, duke i shkandulluar e duke i befasuar të gjithë ata që e panë këtë shfaqje të pazakontë. U bë, kështu, nismëtar i një tradite: “Që atëherë – shkruan Atë Luis Irilia Roazio - mbartja e kryqit bëhet pjesë e pandarë e traditës sonë rregulltare, sepse çdo barnabit e nis vitin e noviciatit duke e mbartur kryqin nga bashkësia në Kishë”.
Si u shugurua meshtar, u bë mësues dhe edukator i barnabitëve, të thirrur për të qenë njerëz të kryqit e të librit, të fesë e të kulturës, që edhe në shekullin XXI lidhen në mënyrë të pandarë njëra me tjetrën, ashtu si në shekullin XVI, kur jetoi e punoi Shenjti i Kryqit i cili sapo i kishte mbushur 34 vjeç, kur u zgjodh epror i përgjithshëm i Urdhërit. U bë edhe rrëfyes i Shën Karl Borromeut, kryeipeshkëv i asokoshëm i Milanos. Në vitin 1567 Piu V e emëroi ipeshkëv të Aleries në Korsikë, ku iu desh të merrej me gjithçka, duke përfshirë edhe shuarjen e urisë së besimtarëve, viktima të thatësirës e të piratëve. Në këtë veprimtari të gjithanshme, vëmendje të dorës së parë i kushtoi formimit të priftërinjve të përgatitur në të gjitha drejtimet, të përshpirtshëm e të kulturuar, të denjë për të kryer misionin delikat të ungjillëzimit. Për njëzet vjet me radhë qe atë e mësues për Korsikën. E do të kishte vdekur aty, në se nuk do t’i duhej t’i bindej nxënësit të tij, që më pas u bë papa Gregori XIV, i cili e transferoi në Pavi. U bind, ndonëse e ndjente se, pas viteve e gjata, të ngarkuara me punë e shqetësime të të gjitha natyrave, nuk e kishte më energjinë e parë. E megjithatë filloi menjëherë vizitën baritore: vijoi kështu ta mbartë kryqin, derisa sa erdhi edhe për të dita e fundit. Apostulli i Korsikës vdiq në Kalozo Asti, në një dhomë të varfër në katin përdhes të një shtëpie punëtorësh. Trupi i ipeshkvit u mbart në katedralen e Pavisë, ku edhe u varros. U shpall shenjt nga Piu X në vitin 1904.







All the contents on this site are copyrighted ©.