2009-10-11 13:01:53

Përfundoi java e parë e Sinodit II për Afrikën, që vijon punimet në Vatikan.


(11.10.2009 RV)Në Vatikan përfunduan punimet e javës së parë të Sinodit II të ipeshkvijve për Afrikën. Gjatë diskutimeve të Etërve Sinodalë u prekën temat më të rëndësishme, që kanë të bëjnë me Kishën në Kontinent, por edhe argumente me rëndësi të dorës së parë nga jeta e shoqërisë afrikane.
Të premten e kaluar në qendër të punimeve ishte situata tejet e rëndë në Darfur, zonë e Sudanit perëndimor. Pjesëmarrësit ndoqën me interes diskutimin e Rudolf Adadës, ish- kryetar i Bashkimit afrikan të misioneve të paqes për Darfurin.
E për paqen u fol edhe të enjten: Etërit Sinodalë bënë thirrje për paqe në Republikën Demokratike të Kongos.
Sesioni VI i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve për Afrikën i së enjtes së kaluar, u përqendrua kryesisht tek temat e pajtimit, të drejtësisë e të paqes. U votua edhe për zgjedhjen e Komisionit për mesazhin përfundimtar të Sinodit.
Këto tema ishin në qendër të vëmendjes edhe të mërkurën, kur një delegacion i Etërve Sinodalë u prit në Kampidolio nga kryetari i bashkisë i kryeqytetit, Xhani Alemano, i cili u uroi mirëseardhjen në Romë. Më pas biseda u përqendrua tek bashkëpunimi për zhvillim, rrugët që duhen përshkuar për sigurimin e paqes, emigracionin dhe kontributin e Romës në takimin e rangut të lartë të FAO-s, nëntorin e ardhshëm. U fol edhe për manifestimin që do të organizohet nga Komuna pikërisht për Afrikën, më 19 tetor 2009.
Gjithnjë të mërkurën pasdite, Etërit Sinodalë reflektuan për ‘teorinë e gjinisë’, që kërcënon familjen; për rolin e fëmijëve, si ndërtues të paqes dhe për rëndësinë e komunikimit të Kishës në ndihmë të pajtimit. Në këtë drejtim ka rëndësi të dorës së parë edhe përmasa politike e paqes. U theksua në mënyrë të posaçme edhe nevoja e pranisë së Kishës, atje ku vendosen fatet e popujve. Një përmasë tjetër e rëndësishme e rritjes së Kishës në Kontinentin afrikan, është edhe numri i burrave e i grave afrikane, që kryejnë drejtpërdrejt misionin ‘ad gentes’ – në gjirin e popullit.
E kisha e Afrikës është e thirrur t’i nxisë kombet e të edukojë ndërgjegjet, siç u shpreh kryeipeshkvi i Antananarivos, në Madagaskar, imzot Odon Marì Arsen Razanakolona. E martja e kaluar pati në qendër të vëmend jes diskutimin e Patrikut Ortodoks etiop, Abuna Paulus, pas të cilit Etërit Sinodalë ndoqën përshëndetjen e Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.