2009-10-11 13:01:38

Një javë me Benediktin XVI e me Selinë e Shenjtë.


(11.10.2009 RV)Të enjten e kaluar Benedikti XVI priti në Vatikan, presidentin e Autoritetit Kombëtar Palestinez, Mahmud Abaz.
‘Gjatë bisedimeve – njofton një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit – pasi u kujtua shtegtimi i Papës në Tokën Shenjte, u fol për situatën në Lindjen e Mesme, duke theksuar posaçërisht nevojën për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje të drejtë e të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez, që duhet të ketë në qendër të vëmendjes njohjen dhe respektimin e të drejtave të të gjithëve. Lidhur me këtë, u vu theksi mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të respektit të anasjelltë ndërmjet palëve si dhe mbi nevojën e mbështetjes nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Papa u ndalua posaçërisht tek gjendja e katolikëve në Palestinë e, më gjërë, në të gjithë zonën, duke theksuar kontributin e tyre të çmuar në jetën shoqërore e në bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve.

Tejet e rëndë situata në Irakun, që rrezikon të harrohet, përballë emergjencave të tjera ndërkombëtare. Tensioni e dhuna janë në rend të ditës. Bashkësia e vogël e krishterëë vijon të jetë viktimë e sulmeve të vazhdueshme e gjithnjë më shpesh, e shtrënguar të emigrojë në masë. Ekziston rreziku që ky realitet tejet i hidhur, të rëndohet më tutje, siç pohon një Komunikatë e lëvizjes katolike ndërkombëtare për paqen, Pax Christi, një delegacion i së cilës vizitoi këto ditë Irakun.

Audienca e përgjithshme e Papës, të mërkurën e kaluar, iu kushtua figurës së Shën Gjon Leonardit, themelues i Klerikëve Regulltarë të Nënës së Zotit e Pajtor i farmacistëve, 400 vjetori i vdekjes të të cilit u përkujtua më 9 tetorin e kaluar. Një figurë e ndritshme meshtarake, e cila në gjysmën e shekullit XVI, e vuri Krishtin në qendrën absolute të veprës së tij apostolike, duke iu kundërvënë, me vlerat e Ungjillit, shkëputjes së fesë nga arsyeja, që nisi të përvijohej në këtë epokë të vështirë, në të cilën Shenjti punoi me të gjitha forcat për ta bërë Kishën më të mirë.

Duke folur në OKB, vëzhguesi i përheshëm i Selisë së Shenjë pranë Kombeve të Bashkuara, Imzot Miliore, kërkoi më shumë solidaritet e më shumë shoqëri civile: “Nuk mund të ketë një reformë të vërtetë të Kombeve të Bashkuara, në se nuk do të arrihet të përfshihen zërat e shoqërisë civile. Kështu u shpreh prelati në takimin e Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme, kushtuar temës së punës së Organizatës. Nga shoqëria civile vijnë zëra kritike për tema, si ndihma humanitare, promovimi i rolit të së drejtës e sidomos, padi të rënda për shkeljen e të drejtave të njeriut.
Duke kujtuar krizën e ekonomike globale e duke nënvizuar pasojat e saj në vendet e varfëra, imzot Miliore kërkoi që Kombet e Bashkuara dhe vendet e zhvilluara, t’i ndihmojnë vendet e shumta të varfëra, të cilat nuk janë në gjendje ta përballojnë krizën ekonomike, duke i vënë të varfërit në plan të parë. E në përfundim theksoi se, që ndihma për zhvillimin të jetë e frytshme, duhet pushtetet lokale duhet të promovojnë përgjegjësinë për përballimin e keqfunksionimit kronik në nivel politik, administrativ e shoqëror.
Edhe në një vit krize ekonomike, si 2008-ta, shpenzimet ushtarake u rritën 4%: këtë denoncoi kryeipeshkvi Çelestino Miliore i cili, duke folur të enjten e kaluar në Asamblenë e 64-t të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e nxiti bashkësinë ndërkombëtare t’u përgjigjet shpresave të mbarë popujve për një botë, më në fund, pa armë e me më shumë shkollim, më shumë ushqim, më shumë shëndet, më shumë ujë, më shumë siguri.Gjithnjë të enjten, duke marrë fjalën edhe në Komitetin e Tretë të Asamblesë së përgjithme të OKB-së mbi kontrollin ndërkombëtar të drogës, diplomati i Vatikanit nënvizoi se Selia e Shenjtë kërkon nga bashkësia ndërkombëtare të mbrojë shëndetin dhe dinjitetin e të gjithëve, duke parandaluar përdorimin e rrezikshëm të drogave e duke lehtësuar vuajtjet e njerëzve të droguar.







All the contents on this site are copyrighted ©.