2009-10-10 14:06:53

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas kalendarit kishtar


Sot me 11 tetor, Kisha katolike kremtoi të dielën 28-të të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë. Po Gjithnjë sot me 11 tetor, kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Filipin, diakon; Aleksandër Saulin, ipeshkëv i Pavisë dhe të lumin Gjonin XXIII, papë. Figurat e tyre na nxisin ta thellojmë reflektimin mbi hirin e lutjes: në se është Jezusi ai që na mëson të lutemi, si mund ta vëmë në dyshim frytin e mësimit të tij? Mungesën e hirit të lypur nuk duhet ta kërkojmë tek lutja, por tek mungesa e besimit tonë, kur lutemi.
Nesër e hënë me 12 tetor, kalendari kishtar përkujton të Lumen Virgjër Mari, Zojën e Bekuar, Nënën e Kishës; Shën Serafinin nga Montegranaro, laik kapuçin dhe Shën Edistin, martir. Liturgjia e ditë na kujton se në luftën kundër djallit, Jezusi dëshmon se është më i fortë. Duke qenë tepër i ligshtë, njeriu nuk mund të fitojë kurrë kundër së keqes, në se nuk e ka gjithnjë përkrah Jezusin.
Të martën e ardhshme me 13 tetor, sipas kalendari kishtar bie e festa e Shën Teofilit, ipeshkëv i Antiokisë . Liturgjia e ditës na fton ta bashkojmë zërin tonë me thirrjen e Psalmistit. ‘Duku, o Zot, diell i drejtësisë’ që jehon në liturgjinë.
 
Të mërkurën me 14 tetor, kalendari kishtar përkujton festën e Shën Kalistit, papë e martir. Liturgjia e ditës na kujton se frika nga mënyra si mund të na gjykojnë njerëzit, na shtyn shpesh të paraqitemi ndryshe nga sa jemi në të vërtetë, duke harruar se duhet të shqetësohemi vetëm për gjykimin e Zotit.


Të enjten me 15 tetor, sipas kalendarit kishtar, do të kremtohet Shën Tereza e Jezusit, virgjër, doktore e Kishës, karmelitane e zbathur. Tereza, që hyri në Urdhrin karmelitan në Avila të Spanjës, u bë nënë e mësuese e të gjithë atyre që dëshirojnë të përsosen shpirtërisht, duke ecur në rrugën asketike. Shkroi edhe libra me frymë të thellë doktrinore, përmes të cilëve na la trashëgim përvojën frymëzuese të jetës së saj të jashtëzakonshme

Të premten me 16 tetor bie festa e Shën Edvigës, dukeshë e Polonisë, rregulltare; e Shën Margaritës Alakok, virgjër e Vizitacionit dhe e Shën Gjerald Maielës, vëlla laik redentorist.
Liturgjia e ditës, na kujton se farisenjtë i kushtonin shumë vëmendje anës së jashtme të zbatimit të Ligjit të Zotit, duke harruar synimet e vetë Ligjit. Ndërsa Jezusi na mëson të mos vëmë në plan të parë dukjen, por respektimin e Ligjit ditë për ditë.

Të shtunën me 17 tetor, sipas kalendarit kishtar bie festa e Shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv e martir dhe e Shën Pjetër Kasanit, meshtar skollop. Liturgjia e ditës na kujton se Ligjin hyjnor, dritë për hapat tanë, Zoti na e dha për të na ndihmuar në rrugën tejét të vështirë të jetës.

Të dielën e ardhshme me 18 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 29-të gjatë vitit kishtar e po të dielën me 18 tetor, kalendari kishtar përkujton Shën Lukën ungjilltar, mjek e pajtor i artistëve. Liturgjia e ditës na kujton se edhe sot e kësaj dite kumtimi i Mbretërisë së Hyjit mbetet urgjent e se të korrat janë të shumta, në sa punëtorët, të paktë. Prandaj, si i nisi të Dymbëdhjetët, Jezusi çoi pas tyre edhe shtatëdhjetë e dy nxënës të tjerë, me urdhrin që t’i luteshin të zotit të të korrave të dërgonte punëtorë të tjerë në arë.







All the contents on this site are copyrighted ©.