2009-10-10 14:05:02

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-të gjatë vitit 'B'


(10.10.09. RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Këtë herë do të meditojmë Liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 28-të gjatë vitit ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar. A është pasuria një pengesë në ndjekjen e Krishtit dhe në realizmin e Mbretërisë së tij në ne? Konceptimet e Besëlidhjes së Vjetër dhe të Besëlidhjes së Re rreth pasurisë dhe prosperitetit material ndryshojnë aq sa ndonjëherë, krijohet një lloj kundërshtie. Jobi, Jozafati, Ezekia, Davidi lavdërohen për pasurinë e tyre, shenjë e bekimit hyjnor, imazh i bollëkut mesianik. Por sjellja e Jezusit dhe e bashkësive të para të krishtera duket se është gati e pamëshirshme. Fjalët “vaj për ju o pasanikë” kanë ngjyrimin e një dënimi. Përse një gjë e tillë?
Të gjithë Ungjijtë janë të përshkuar nga vetëdija e risisë që është Mbretëria e Hyjit, e identifikuar nga Krishti me vetë personin e tij. Ky mesazh i Mbretërisë lajmëron dhurimin total të Zotit në personin e Jezu Krishtit dhe kërkon nga njeriu gatishmërinë për të pranuar “perlën e çmuar”, “thesarin e çmuar”, për të ndjekur Krishtin. Njeriu nuk mund t’i shërbejë dy zotërive, sepse afshi i zemrës njerëzore për pasurinë e mbyt fjalën e ungjillit në përtaci, në harrimin e thelbësores, të sovranitetit të Zotit. Është një ligj që nuk pranon përjashtime “Kush nuk mohon të gjitha pasuritë e tij, nuk mund të jetë dishepulli im” (Lk 14, 33).
Në pjesën e ungjillit të kësaj së diele, Jezusi kremton shkëlqimin e gëzimit të dhurimit të vetvetes në shërbesën apostolike. Vetëm një mrekulli mund ta shkëpusë pasanikun nga mjerimi i tij njerëzor dhe shpirtëror dhe ta vërë në rrugëtimin e Krishtit të varfër dhe të vuajtur.
Në dialogun e Pjetrit me Krishtin, pas refuzimit të djaloshit pasanik për të ndjekur Krishtin, foljeve lë-ndjek (rreshti 19) me të cilat Pjetri përshkruan thirrjen dhe shërbesën e tij apostolike, Krishti i përgjigjet duke i korrigjuar ato me foljet lë-marr (rreshti 29-30). Ajo çfarë jepet gjendet rishtas, e pasuruar dhe e zgjeruar. Një gëzim i thellë gjendet sërish dhe një paqe e paparashikuar bëhet trashëgimi e atij që është boshatisur, për t’i bërë vend në jetën e vet Krishtit dhe ungjillit të tij.
Jo më kot liturgjia si lexim të parë ka shkëputur një pjesë nga libri i Urtisë. Përballë Salomonit, simbol i mbretit dhe të urtit të përkryer, kalojnë pasuritë të simbolizuara nga ari, të cilat gjykohen “baltë dhe rërë” (rreshti 9) përballë urtisë, do të thotë përballë atyre vetive njerëzore dhe shpirtërore, të vetmet që mund ta pasurojnë ekzistencën e njeriut.
Pasuria nuk është e keqe në vetvete. Ajo bëhet e tillë kur njeriu e themelon jetën e tij duke e bërë atë një perëndi dhe duke shqiptuar Amenin e tij, që i përket vetëm Zotit të vërtetë.
Ajo mund të jetë simbol i shumë i prapësive duke kujtuar padrejtësi të shumta, por është mbi të gjitha simbol i punës njerëzore dhe i shpresave njerëzore që mund të realizojë. E lidhur me progresin personal dhe kolektiv të njeriut përmbledh përpjekjet e njeriut dhe shpresat e tij të ardhme. Nga ana tjetër pasuria është edhe mjeti për të kryer bamirësi të ndryshme.
Në të vërtetë, ajo çfarë ungjilli dëshiron të thotë nuk është të mos kesh asgjë, por të komprometohesh me të varfërit, që do të thotë të ndash me ta çdo gjë që posedon. Të ndjekësh Krishtin do të thotë të takosh të varfërit në rrugëtimin tënd. Vetëm ai që te përjeton urinë, etjen, zhveshjen dhe nevojat e të tjerëve dhe bën çfarë është e mundur që ata të mund të lirohen prej këtyre vështirësive, është njeri i mbretërisë hyjnore.
Një shembull i shkëlqyer i këtij vizioni ungjillor është Shën Tereza e Avilës që Kisha e përkujton sot. Në librin e autobiografisë së saj shkruan: “Kush ka për mik Krishtin, mund të durojë çdo gjë sepse Jezusi të ndihmon, nuk të lë asnjëherë në baltë dhe të jep forcë. Këtë gjë e kam sprovuar shumë herë në jetën time dhe vetë Zoti ma ka thënë”.
Le ta bëjmë të tonën, pra, thirrja e Psalmistit: Na e jep o Zot urtinë e zemrës! Po, bëj o Zot që në ndërtimin e vizionit tonë të jetës të mos humbasim ty, pasurinë e vërtetë të zemrës njerëzore, njeridashës dhe shujtës i anktheve dhe shqetësimeve të zemrës sonë.RealAudioMP3
Leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 28-të.
Leximi i parë Urt 7, 7-11

Lexim prej Librit të Urtisë

U luta e më qe dhuruar mençuria, u përluta e më erdhi shpirti i urtisë. E çmova atë më shumë se mbretëritë e fronet, për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të. Gurin e paçmueshëm as që e krahasova me të, sepse i gjithë ari në krahasim me të është si pak rërë, e argjendi për krah saj vlerësohet si baltë.
E desha më tepër se shëndetin e bukurinë dhe e parapëlqeva më fort se dritën, sepse shkëlqimi i saj nuk di të shuhet kurrë.
Fjala e Zotit.


Psalmi 90

 
Na e jep, o Zot, urtinë e zemrës
----------
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona
që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
----------
Na e ndiko në mëngjes mëshirën tënde,
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
Gëzona për ditët që na mundove,
për vjetët që i kaluam në mjerim.
----------
Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!
Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,
të përparojë vepra e duarve tona.
----------

Leximi i dytë Heb 4, 12-13

 
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin, edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës. Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari.
Fjala e Zotit.


Ungjilli Mk 10, 17-30

 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi doli në rrugë, një njeri u lëshua vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Jezusi i përgjigji: “Pse më thua ‘i mirë’? Askush s’është i mirë përveç një Hyji të vetëm! Urdhërimet i di: Mos vrit! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!” Ai u përgjigj: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.”
Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: “Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë, dhe, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta. Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet: “Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!”
Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tija. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha: “Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! Më lehtë është të përshkohet deveja nëpër veshë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!” Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush do të mund të shëlbohet?” Jezusi ua nguli sytë dhe tha: “Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin: Hyji mund të bëjë gjithçka.”
Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha: “Qe, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.” Jezusi i përgjigj: “Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babën, ose fëmijët, ose arat, e të mos marrë tani, në këtë botë, edhe pse me salvime, njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, e, në botën e ardhshme, jetën e pasosur.”
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.