2009-10-09 17:43:35

Thirrje e imzot Miliores në OKB: bashkësia ndërkombëtare të impenjohet për një botë të çliruar nga armët e nga droga.


(09.10.2009 RV)Edhe në një vit krize ekonomike, si 2008-ta, shpenzimet ushtarake u rritën 4%: këtë denoncoi kryeipeshkvi Çelestino Miliore i cili, duke folur dje në Asamblenë e 64-t të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e nxiti bashkësinë ndërkombëtare t’i përgjigjet shpresave të mbarë popujve për një botë, më në fund, pa armë. Prelati kujtoi se njerëzimi ka më tepër nevojë për më shumë shkollim, më shumë ushqim, më shumë shëndet, më shumë ujë, më shumë siguri, në një botë ku të ketë gjithnjë më pak armë.
Po dje, duke marrë fjalën edhe në Komitetin e Tretë të Asamblesë së përgjithme të OKB-së mbi kontrollin ndërkombëtar të drogës, vëzhguesi i Selisë së Shenjtë nënvizoi me forcë se droga vijon të jetë pengesë serioze për zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të individëve e të kombeve. Kujtoi, kështu, se Selia e Shenjtë kërkon nga bashkësia ndërkombëtare të mbrojë shëndetin dhe dinjitetin e të gjithëve, duke parandaluar përdorimin e rrezikshëm të drogave e duke lehtësuar vuajtjet e njerëzve të droguar.







All the contents on this site are copyrighted ©.