2009-10-09 17:43:09

Papa në koncertin kushtuar 70-vjetorit të Luftës II Botërore: kurrë më shfarosje e mure; të rinjtë të mbrojnë paqen e lirinë nga çdo formë e urrejtjes.


(09.10.2009 RV)RealAudioMP3 “Të rinjtë nuk duhet të harrojnë se liria e paqja, për të cilat ka etje bota, janë fryt i një qytetërimi të bazuar mbi respektin e jo mbi urrejtjen që mbollën, gjatë Nëntëqindës, ngjarjet si Lufta II Botërore, Shoah- apo shfarosja në masë e hebrenjve dhe ngritja e Murit të Berlinit”. Janë fjalët e Benediktit XVI në përfundim të koncertit të orkestrës gjermane Ndër-rajonale, JugendsinfonieOrchester, titulluar “70-vjet pas fillimit të Luftës II Botërore: Të rinjtë kundër luftës”, drejtuar nga Johem-Hohshtenbah e Volfgang Gënenvain, e cila dje luajti pjesë të zgjedhura nga kompozimet e muzikantëve Gustav Mahler e Felix Mendelson-Bartoldi.
Koncerti u realizua me nismën e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve dhe nga Komisioni i Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet fetare me hebraizmin, në bashkëpunim me ambasadën e Gjermanisë pranë Selisë Apostolike.
Notat e dy kompozitorëve të mëdhenj prekën zemrat, duke shprehur me gjuhën e muzikës, etjen e njerëzimit për paqen e urrejtjen kundër luftës, kundër tmerreve të shfarosjes, kundër një muri të padenjë, që u ngrit për të ndarë njerëzit. E Papa Benedikti XVI e vlerësoi lart idenë kryesore të këtij koncerti:
“Duke përdorur gjuhën universale të muzikës, kjo nismë ka për qëllim t’u japë zemër të rinjve për të ndërtuar së bashku ardhmërinë e botës, duke u frymëzuar nga vlerat e paqes e të vëllazërimit ndërmjet njerëzve”.
Kështu u shpreh Papa e në vijim nënvizoi se ky koncert kujtoi edhe një herë tragjedinë e Luftës II Botërore, faqe tejet e hidhur, e dhunshme e çnjerëzore e historisë, që shkaktoi vdekjen e miliona njerëzve, duke i lënë fitimtarët të ndarë e Evropën për t’u rindërtuar.
Në nëntorin e ardhshëm Evropa dhe bota do të kremtojnë edhe 20-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, pasojë e drejtpërdrejtë e konfliktit II botëror, ‘simbol që flet për fundin e regjimeve totalitare komuniste në Lindjen evropiane – siç u shpreh Ati i Shenjtë – duke cituar, më pas, Gjon Palin II:
Evropa, bota mbarë kanë etje për liri e paqe! Duhet të ndërtojmë së bashku një qytetërim të ri, që të mos bazohet mbi forcën, por të jetë fryt i fitores sonë mbi vetveten, mbi pushtetin e padrejtësisë, të egoizmit e të urrejtjes, që mund të arrijnë deri atje, sa ta shpërfytyrojnë njeriun (...). Zoti na bekoftë e i dhëntë njerëzimit dhuratën e paqes së tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.