(08.10.2009 RV)Deklarata “njeriu është ajo që ha” –megjithëse filozofi
i 1800-ës që e ka formuluar, Ludvig Fojerbah e thoshte në kuptimin materialist – përmban
në vetvete një të vërtetë njerëzore themelore. Në fakt, ushqimi nuk është i nevojshëm
vetëm për të mbijetuar, por është edhe një sinjal i rëndësishëm simbolik, përmes të
cilit njeriu merr pjesë në gëzime (të mendojmë për shembull për sofrën e martesës,
të dashur edhe për Jezusin), por edhe në dhimbje. Në shumë kultura bëhet dreka pas
vdekjes e në Bibël përmendet “buka e zisë” (Ez 24,17). Aspekti simbolik i ushqimit
- i cili në hebraisht e shqip tregohet thjesht me emrin “bukë”, pasi është ushqimi
kryesor - del qartë nga normativa e rreptë e përshkruar në Librin e Levitikut, që
ka të bëjë me kafshët e pastra e jo të pastra, pra që mund të hahen ose jo, sipas
rregullave të lashta që shkrinin në një, elemente higjienike e ambientale dhe përmasa
folklorike e tradicionale. Për këtë arësye kemi edhe drekën e shenjtë, ajo që
hahet me mishin e kushtuar në tempull. Kjo praktikë është e lidhur me “sakrificën
e bashkimit(kungimit)”. Kemi kështu ndërthurjen e thellë të realitetit të përditshëm,
i cili përfshin konsumin e ushqimit për të jetuar, me kremtimin e kuptimit më të
lartë që përmban ky konsum. Në ndryshim nga kafsha, njeriu ha e pi me gjeste, që ndjekin
një lloj rituali. Feja biblike, duke qenë historike, merr nga historia një seri
pjatash të pasura: bukë, rrush, fiq, hurma arabie e fruta të tjera, pastaj mish, peshk,
verë, vaj, qumësht, mjaltë, specie, ujë e kështu me radhë. Por ajo gjithnjë kërkon
te ushqimi një vlerë më të lartë e simbolike, nëse jo për tjetër, për faktin se buka
është dhuratë e Zotit. Prandaj për Zotin themi se “u jep ushqim të gjitha gjallesave”
(Psalmi 136,25). Edhe në lutjen kryesore të krishterimit, Atynën, i kërkojmë Hyjit
të na japë bukën e përditshme. Kjo është rruga, që e çon ushqimin drejt një përmase
gjithnjë e më shpirtërore. Dihet nga të gjithë shembulli i manës, që në vetvete
është një rrëshirë e ngrënshme, e cila del nga bruka e shkretëtirës, një bimë që njihet
shkencërisht me emrin tamerix mannifera. Por, është e qartë që edhe në tregimin e
kapitullit 16 të Librit të Daljes, ajo bëhet shfaqje e dashurisë atërore të Zotit
për bijtë e vet në shkretëtirë. Prandaj Libri i Urtisë flet për manën si për “shujtën
e engjëjve, që kishte në vete çdo ëmbëlsirë, e aftë të kënaqë secilën shije” (16,20).
Edhe vetë Jezu Krishti do të përdorë shembullin e manës për të vazhduar t’i japë vlera
simbolike ushqimit. Është rasti i predikimit në sinagogën e Kafarnaumit, siç na
tregon kapitulli 6 i Ungjillit sipas Gjonit. Në të, Krishti e zëvendëson manën me
një ushqim, që shërben jo aq për jetën fizike, se sa për “jetën e amshuar”.
E gjithë simbolizmi e paradoksi i këtij ushqimi del në pah kur Ai thotë se ky ushqim
do të jetë korpi i tij, “ushqim i vërtetë” dhe gjaku i tij, “pije e vërtetë”.
Në darkën e mbrame, ushqimi i thjeshtë e universal prej buke e vere do të bëhet prania
e korpit dhe e gjakut të Hyjit, mjet i përsosur i bashkimit ndërmjet Zotit e njeriut.
Atëherë, kuptohet këshilla e Jezusit: “Kërkoni, por jo ushqimin që prishet,
por një ushqim që qëndron për jetën e amshuar: atë do t’jua japë Biri i njeriut” (Gjoni
6,27).