2009-10-08 16:29:46

Thirrje e “Pax Christi”: Të mos harrohet Iraku.


(08.10.2009 RV)Lëvizja Katolike Ndërkombëtare për Paqën “Pax Christi” bën thirrje që Iraku të mos harrohet. Ka rrezik që përballë emergjencave të tjera ndërkombëtare situata në Irak të kalojë në plan të dytë. Por këtu dhuna mbetet në rend të ditës. Mjaft të mendojmë për atentatet e djeshme dhe të sotme në Mosul dhe Bagdad që shkaktuan disa viktima. Përballë kësaj dhune pakica e krishterë është e detyruar të ikë. Pikërisht këtë nënvizon në një deklaratë një delegacion i Pax Christi që porsa është kthyer nga Iraku. Në të bënte pjesë edhe Dom Renato Sako. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Para pak vitesh thirrja e Papës Gjon Pali II që thoshte se “lufta është një aventurë pa kthim” e pati vënë Irakun në qendër të vëmendjes. Sot Iraku është një tokë gati e harruar. Në atë tokë ku luftrat kanë ndjekur njëra-tjetrën pasojat i paguan populli, në veçanti pakicat e sidomos të krishterët.

Pyetje: Cilat janë dëshmitë që ju keni mbledhur ndër irakianë?

Përgjigje: Mbi të gjitha ndër të shpërngulurit. Në veri, kush ka ikur, veçanërisht nga Bagdadi dhe Mosuli, thotë: “Nuk kemi punë. Nuk kemi të holla për të paguar qeranë, nuk kemi mundësi e lehtësi deri as edhe për benzinën. Është paradoksale, por në vendin e naftës karburantet kontrollohen nga dikush, por ne nuk përfitojmë nga kjo.” Takuam edhe përfaqësues të shoqërisë civile, që punojnë kundër dhunës. Në atë vend ka ende persona që punojnë për të mbrojtur jo vetëm të drejtat e njeriut por edhe ata që besojnë se e vetmja rrugë është kundërshtimi i dhunës. Kemi mbledhur, pra, dëshmi të dhimbshme shpeshherë por edhe plot me shpresa të mëdha, sepse e ardhmja duhet të jetë, medoemosdo e ndryshme. Duhet të jetë e ardhmja e jetës.

Pyetje: Një situatë, pra, e rëndë, në të cilën bashkësia e krishterë është në vështirësi gjithnjë e më të madhe.

Përgjigje: Po, të krishterët janë në hall dhe shumë prej tyre e kanë braktisur vendin, por të gjithë irakianët janë në vështirësi të madhe, sepse kur shpërthen një bombë vriten të krishterët por vriten edhe myslimanët, vriten turkmenët e vriten edhe jazidët e kurdët. Vriten të gjithë. Por të krishterët, si pakicë që janë kthehen në viktimat e para. Pikërisht këto ditë u lirua një mjek në Kirkuk. E kishin torturuar në një mënyrë barbare. Me 3 tetor u rrëmbye një infermier, gjithnjë në Kirkuk, e para pak ditësh u gjet kufoma e tij me shenja torturash. Padyshim që këto gjëra e shuajnë shpresën e të krishterëve.
Ëndrra e irakianëve është të ikin. Kurse ne duhet t’i ndihmojmë të qëndrojnë aty dhe ta mbajnë gjallë shpresën në vendin e tyre. Duhet t’i kërkojmë bashkësisë ndërkombëtare ta ndihmojë këtë vend ta rigjejë shpresën, paqën dhe harmoninë. Është domethënëse që të gjithë udhëheqësit fetarë që këto ditë vizituan Kirkukun, shpreh keqardhje për vrasjen e këtij infermieri të krishterë. Besoj se duhet të investojmë për dialogun, të jemi të pranishëm, të dëshmojmë me forcë se të krishterët irakianë kanë qenë gjithmonë aty, të dëshmojë e të themi se një Irak pa të krishterë është një Irak më i varfër nga ana kulturore, humanitare por edhe fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.