2009-10-08 16:30:21

Masakër pranë Ambasadës së Indisë në Kabul, 17 të vdekur.


(08.10.2009 RV)Sot paradite një atentat i ri tronditi thellë Kabulin, në Afganistan, ku një atentator vetëvrasës u hodh në erë në bordin e një autoje pranë ambasadës indiane. Rezultati ishte tragjik: 17 të vdekur e 83 të plagosur. Sipas njoftimit të Ministrisë së jashtme afgane në televizionin vendas, për shkak të plasjes së fortë, u dëmtuan rëndë ndërtesa e përfaqësisë diplomatike të Nju Delhit si dhe shumë dyqane e shtëpi të zonës. Viktimat, ndërmjet të cilave edhe gra e fëmijë, janë kryesisht civilë e punonjës të sigurimit. Kujtojmë se ambasada indiane në Kabul është fare pranë ministrisë afgane të mbrojtjes.
Presidenti afgan, Hamid Karzai e quajti atentatin ‘akt terrorist kundër njerëzve të pafajshëm”. Ndërsa talebanët, në faqen e tyre të internetit, konfirmuan autorësinë e sulmit vrasës, duke nënvizuar se objektivi ishte ambasada indiane.
Është e dyta herë që një autobombë shpërthen pranë ambasadës indiane të kryeqytetit afgan.
Herën e parë plasja shkaktoi vdekjen e më se pesëdhjetë vetëve, ndërmjet të cilëve, edhe disa diplomatë indianë, ndërsa u plagosën më se 140 persona.







All the contents on this site are copyrighted ©.