2009-10-08 16:30:30

Herta Myler – Çmim Nobel 2009 për letërsinë.


(08.10.2009 RV)Shkrimtarja gjermane me origjinë rumune, Herta Myler, është fituese e Çmimit Nobel 2009 për letërsinë. Njoftimin e dha sot Akademia Suedeze, e cila e quajti 56 vjeçaren, shkrimtare që pikturon, me koncentrimin e poezisë e objektivitetin e prozës, njerëzit e përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Ky është edhe motivimi i Çmimit.
E lindur më 17 gusht 1953 në Nitchidorf të Rumanisë në një familje fshtarësh të pakicës gjermane, shkrimtarja përshkroi me mjeshtri të rrallë poetike jetën e vështirë nën regjimin komunist të Çausheskut. Në vitin 1979, pas pushimit nga puna për shkak të mospranimit për të bashkëpunuar me sigurimin e shtetit, u arratis nga Rumania, së bashku me të shoqin. Që atëherë vijon, pa rezultat, përpjekjet për të shfletuar dosjen personale në arkivat e sigurimit, ndonëse deklaron se nuk pret ndonjë gjë të madhe nga ky shfletim, sepse ata që kujdesen për arkivat, kanë pasur gjithë kohën e dëshiruar për t’i zbrazur e për t’i tjetërsuar dosjet.
Libri i saj i parë, shkruar gjermanisht, u shtyp në Rumani, në një variant të cenzuruar, në vitin 1982.
Fituesja e Çmimit Nobel 2009 për letërsinë jeton në Berlin. Aktualisht tejet e njohur në Gjermani e në të gjithë Evropën, që nga viti 1995 është anëtare e Akademisë gjermane të Letërsisë. Para se të merrte Çmimin e madh, shoqëruar me vlerën 1. 4 milionë dollarë, shkrimtarja ka fituar edhe çmime e vlerësime të tjera të larta, ndërmjet të cilave, Çmimin ‘Klaist’ (1994); ‘Jozef Breibah” (2003) dhe ‘Konrad Adenauer” (2004).







All the contents on this site are copyrighted ©.