2009-10-08 16:28:29

Benedikti XVI pret presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abaz.


(08.10.2009 RV)Sot Benedikti XVI priti në audiencë, në Vatikan, presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abaz, shoqëruar, ndërmjet tjerësh, nga kryendërmjetësi i bisedimeve, Saeb Erekat dhe zëdhënësi, Nabil Abu Rudein. ‘Mirëseardhët, zoti president!’ - ishte përshëndetja e parë e Atit të Shenjtë drejtuar liderit të Al Fatah, me të cilin bisedoi rreth 15 minuta.
‘Gjatë bisedimeve – njofton një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit – pasi u kujtua shtegtimi i Papës në Tokën Shenjte, u fol për situatën në Lindjen e Mesme, duke theksuar posaçërisht nevojën për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje të drejtë e të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez, që duhet të ketë në qendër të vëmendjes njohjen dhe respektimin e të drejtave të të gjithëve. Lidhur me këtë, u vu theksi mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të respektit të anasjelltë ndërmjet palëve si dhe mbi nevojën e mbështetjes nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Papa u ndalua posaçërisht tek gjendja e katolikëve në Palestinë e, më gjërë, në të gjithë zonën, duke theksuar kontributin e tyre të çmuar në jetën shoqërore e në bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve.
Para se të fillonte takimi privat, në gjuhën angleze, Papa e presidenti biseduan shkurtimisht edhe për takimin e këtij të fundit me Barak Obamën dhe me Benjamin Netanijahun, në Nju Jork.
Në përfundim të bisedimeve u shkëmbyen dhuratat: një kuadër i ‘Jeruzalemit, kryeqytet i kulturës arabe’ në majolikë të pikturuar nga ana e Presidentit; një basoreliev i rrumbullakët i Sheshit të Shën Pjetrit, nga ana e Benediktit XVI.
Pas takimit me Atin e Shenjtë, Presidenti palestinez bisedoi edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, i cili shoqërohej nga sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì.
Takimi i fundit ndërmjet Papës e prijësit palestinez është ai i majit të kaluar, gjatë vizitës së Benediktit XVI në Tokën Shenjte.







All the contents on this site are copyrighted ©.