2009-10-07 16:52:54

Sinodi për Afrikën: ipeshkvijtë denoncojnë shfrytëzimin dhe korrupsionin


(07.10.2009 RV)Vazhdojnë punimet e Sinodit II për Afrikën në Vatikan. Sot u zhvillua sesioni i parë për Rrethet e vogla dhe sesioni i pasdites, me ndërhyrje të lira. Temat e diskutimit u përqëndruan tek emigrantët, sidomos në gjendjen e tyre në Libi, ku ata dërgohen pasi largohen me forcë nga Evropa. Gjithashtu, etërit sinodalë u pritën nga kryetari i bashkisë së Romës, Xhani Alemano. Spikati largimi i kryeipeshkvit të Bukavut në Republikën Demokratike të Kongos, të cilit iu desh të kthehej në atdhe, ku disa famulli janë kërcënuar e madje edhe djegur nga ata që vetë ipeshkvi i quajti “armiqtë e paqes”.
Ka pasur jehonë të madhe në shtyp diskutimi i ipeshkvijve për gjendjen e emigrantëve. Në Afrikë, emigrantët, të pastrehët dhe personat me të drejtë strehimi politik janë rreth 10 milionë, viktima të shfrytëzimit e të mosrespektimit të të drejtave të njeriut. Pikërisht për këtë gjendje foli sidomos ipeshkvi i Tabudës dhe vikari apostolik i Tripolit në Libi, imzot Gjovani Inoçenco Martineli, të cilin e ftuam në mikrofonin tonë:
Ne jemi dëshmitarë të pranisë së emigrantëve, që vijnë nga të gjitha anët e Afrikës. Nuk dua të hyj në diskutime për të drejtën apo detyrimin për t’i kthyer mbrapsht, por kam nënvizuar mëse një herë rëndësinë që të mos refuzohen, që të ndihmohen së paku në Libi, pasi braktisja dhe mosinteresimi për ta është kundër të drejtave të njeriut dhe kundër qytetërimit tonë human, kristian o i çfarëdo lloji qoftë.
Çfarë bën Kisha për këta persona?
Ne, në Libi, me sa mundemi, përpiqemi ta ndjekim këtë masë njerëzish në qendrat e grumbullimit, ku libikët na japin mundësi t’i takojmë, t’i vizitojmë, t’i ndihmojmë shpirtërisht. E bëjmë këtë për të krishterët, por edhe për njerëzit, që janë jashtë qendrave, vetëm. I ndihmojmë në planin material duke u dhënë ushqim një herë në javë; u çojmë mbulesa e veshje, e sidomos i kemi asistuar në planin mjekësor. Javë për javë, murgeshat interesohen për gratë shtatzanë, që duhet të shkojnë në spital. Nuk kanë dokumente e murgesha jep pasaportën e vet për kurimin, derisa të lindë fëmija. Këta njerëz, sidomos nga Eritrea, ku luftohet, kanë kapërcyer shkretëtirën e janë vërtet të varfër. Karta e refugjatit e OKB-së nuk njihet nga Libia.







All the contents on this site are copyrighted ©.