2009-10-07 16:52:02

Papa në audiencën e përgjithshme foli për shën Gjon Leonardin. Besnikëria ndaj Krishtit është masa e çdo reforme shpirtërore e shoqërore


(07.10.2009 RV)Pra Ati i Shenjtë Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan para mëse 40 mijë besimtarëve e shtegtarëve, ardhur nga vendet e ndryshme të botës, foli mbi një figurë të ndritshme meshtarake, për Shën Gjon Leonardin, themeluesin e Urdhërit të Priftërinjve Rregulltarë të Nënës së Hyjit, 400 vjetori i vdekjes të të cilit do të përkujtohet pasnesër, më 9 tetor. Shën Gjon Leonardi, që jetoi në gjysmën e shekullit XVI, në Krishtin e pati qendrën absolute të veprës së tij apostolike, duke kundërshtuar, me vlerën e Ungjillit, ndarjen e përçarjen ndërmjet fesë e arsyes që nisi të përvijohej në atë epokë.
Me rastin e Vitit Meshtarak, Benedikti XVI paraqiti sot paradite, gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, historinë e Shën Gjon Leonardit, Pajtorit qiellor të farmacistëve, i cili së bashku me imzot Huan Bautista Vives dhe jezuitin Martin de Funes, projektoi e kontribuoi në themelimin e një Kongregate të veçantë të Selisë së Shenjtë për misionet, atë të Propagandës së Fesë, duke dhënë ndihmesën edhe për lindjen e ardhshme të Kolegjit Urban të Propagandës së Fesë, i cili gjatë shekujsh kaliti me mijëra meshtarë, ndër ta edhe shumë meshtarë shqiptarë. Pikërisht këtë meshtar shembullor dëshiroj ta paraqes si model për të gjithë meshtarët në këtë Vit Meshtarak - theksoi Papa.
Gjithçka filloi nga pasioni për aromat dhe ilaçet që, në gjysmën e 1500-tës, praktikohej nga korporata e “erëzave”, ku përgatiteshin barnat e ndryshme. Gjon Leonardi i ri studioi dhe shumë shpejt u thellua në farmakopé, ndërsa ia hapte zemrën edhe një thirrjeje tjetër, asaj të meshtarisë. Kjo thirrje, që e ushqeu prej kohe - shpjegoi Benedikti XVI - e nxiti t’u transmetojë njerëzve “mjekësinë e Zotit”, Krishtin e Gjallë, që për Shën Gjon Leonardin është e do të jetë gjithmonë, “masa e të gjitha gjërave”:
“I shtyrë nga bindja se për një ilaç të tillë, të gjitha qeniet njerëzore kanë nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër, Shën Gjon Leonardi u mundua që takimin personal me Jezu Krishtin ta bëjë e ta ketë si arsyen themelore të jetës së vet... Paria e Krishtit mbi gjithçka bëhet për të kriter konkret i gjykimit e i veprimit, parim jetik i veprimtarisë së tij meshtarake”.
Ky pasion për Krishtin, përveç se e shtyu të shkrijë pa u kursyer gjithë jetën për Urdhërin e Priftërinjve Rregulltarë të Nënës së Hyjit, themeluar prej tij - si dhe për misionet, për të cilat kontribuoi në themelimin e Kongregatës së Propagandës së Fesë - e nxiti të bëhet, pranë Papës Pali I, nismëtar për përtëritjen e moralit e të zakoneve, duke u nisur nga brendësia e Kishës - kujtoi Papa - e në vijim nënvizoi se Shenjti vërente:
“Ai që dëshiron të kryejë një reformë serioze fetare e morale, ashtu si mjeku i mirë, duhet të bëjë edhe një diagnozë të vëmendshme të sëmundjeve nga të cilat vuan Kisha, për të qenë kështu në gjendje të japë për secilën prej tyre, ilaçin më të përshtatshëm. Vërente edhe se përtëritja e Kishës duhet të përfshijë njëlloj si krerët, ashtu edhe vartësit e tyre, lart dhe poshtë. Duhet të fillojë nga ata që sundojnë, për t’u shtrirë, më pas, tek nënshtetasit.”.
Për të Kisha ishte vërtetë e shenjtë, por edhe e brishtë e, prandaj - shpjegoi Papa - Shën Gjon Leonardi u përpoq ta bënte gjithnjë më të bukur, shenjë të tejdukshme të kreut të saj:
“Kuptoi se çdo reformë duhet bërë brënda Kishës e kurrë kundër Kishës. Në këtë Gjon Leonardi qe me të vërtetë i jashtëzakonshëm e shembulli i tij mbetet gjithnjë aktual”.
Shën Gjon Leonardi – vijoi të shpjegonte Benedikti XVI - e zhvilloi veprimtarinë e tij ndërmjet fundit të gjashtëqindës e fillimit të shtatëqindës, në të njëjtat vite, kur krijohen parakushtet e kulturës bashkëkohore, të cilat – vijoi Papa – karaketerizohen:
Nga ndarja e padrejtë e fesë prej arsyes që, ndërmjet pasojave të tjera negative, u përpoq ta linte Zotin mënjanë, duke gënjyer veten se njeriu mund të jetë plotësisht i pavarur e të jetojë sikur Hyji të mos ekzistonte fare. Është kriza e mendimit modern, që e kam vënë disa herë në dukje e që shpesh përfundon në forma të ndryshme të relativizmit”.
Edhe në këtë rast – pohoi Ati i Shenjtë – përgjijgjja e Shën Gjon Leonardit është gjithnjë e qartë e aktuale: “Krishti para së gjithash. Në qendër të zemrës, të historisë e të gjithësisë”:
E – pohonte me forcë – njerëzimi ka gjithnjë nevojë të skajshme për Krishtin, sepse Ai është ‘masa’ jonë. Nuk ka mjedis, që të mos jetë prekur nga forca e tij; nuk ka sëmundje, që në Të të mos gjejë shërim, nuk ka problem, që në Të të mos ketë zgjedhje. ‘Ose Krishti, ose asgjë!’ Kjo ishte receta e tij për çdo tip reforme shpirtërore e shoqërore”.
Në përfundim Benedikti XVI i drejtoi këtë urim klerit dhe mbarë besimtarëve:
“Uroj që shembulli dhe ndërmjetësimi i këtij burri magjepsës të Zotit, posaçërisht në këtë vit meshtarak, të tingëllojnë si për meshtarët, ashtu edhe për besimtarët, si thirrje e t’u japin guxim ta jetojnë me pasion e entuziazëm thirrjen e tyre”.
Gjatë katekizmit, duke folur në gjuhën polake, Papa ia besoi Zonjës Rruzare punimet e sinodit të ipeshkvijve të Afrikës, që vijon punimet në Vatikan, duke ripohuar pak më pas, në gjuhën italiane, rëndësinë e kësaj lutjeje mariane, që e deshën fort – kujtoi – edhe paraardhësit e mi.
Benedikti XVI i nxiti posaçërisht të rinjtë, të sëmurët e të sapomartuarit ta vënë Rruzaren në qendër të jetës së tyre të krishterë.
Më pas Papa përshëndeti në mënyrë të veçantë kardinalin Ivan Dias dhe bashkëpunëtorët e dikasterit për Ungjillëzimin e Popujve; drejtuesit dhe studentët e Kolegjit Papnor Urbanian të Propaganda Fide-s; pjesëmarrësit e shtegtimit të organizuar nga Urdhëri i Nënës së Zotit, me rastin e katërqind vjetorit të vdekjes së Shën Gjon Leonardit; meshtarët, rregulltarët, rregulltaret dhe seminaristët e Institutit të Krishtit, Mbret e Kryemeshtar dhe përfaqësuesit e Shoqatës ‘Planeti Daun” .
Përshëndetjet e fundit Papa ua drejtoi, ndërmjet të tjerëve, ‘Kalorësve të Falënderimit’ të Rojos, në provincën e Akuilës. “Zojës së Bekuar të Kryqit, që nderohet në Shenjtëroren e Roios, ia besoj edhe një herë – përfundoi Benedikti XVI – ëndrrat e shpresat e popullsive, që u dëmtuan kohët e fundit nga tërmeti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.