Ipeshkvijtë afrikanë në Bashkinë e Romës për të diskutuar mbi zhvillimin, paqen dhe
emigracionin
(07.10.2009 RV)Siç thamë, një delegacion i Sinodit të Ipeshkvijve për Afrikën
u prit sot paradite nga kryetari i bashkisë së Romës, Xhani Alemano. Në qendër të
konfrontimit, zhvillimi, paqja dhe emigracioni. U fol edhe për manifestimin e organizuar
nga Bashkia e Romës, më 19 tetor, me temë “Afrika: ç’lloj partneriteti për pajtimin,
drejtësinë e paqen?”. Mbi këtë takim, të dëgjojmë komentin e Sekretarit të Përgjithshëm
të Sinodit të Ipeshkvijve, kreut të delegacionit, imzot Nikola Eteroviç: “Qyteti
i Romës pret çdo vit miliona shtegtarë; shumë prej tyre vijnë nga Afrika e Roma bën
ç’është e mundur që ata të ndihen si në shtëpinë e tyre. Kjo është thirrja universale
e Romës. Nga ana tjetër, ipeshkvijtë përfaqësues të 244 etërve sinodalë, të gjithë
afrikanë, deshën ta falenderojnë kryetarin e bashkisë e të shkëmbejnë me të disa mendime
mbi temat që kanë për zemër: si të përmirësohet bashkëpunimi ndërmjet Afrikës dhe
Evropës, refugjatët politikë, emigracioni dhe zhvillimi i mundshëm i prodhimit bujqësor
në Afrikë”. Ja edhe opinioni i kryetarit të bashkisë së Romës, Xhani Alemano: “Nënvizuam
se qyteti i Romës ndjek me vëmendje të madhe Sinodin e Ipeshkvijve afrikanë, pasi
nga ky sinod presim mesazhe të qarta për bashkëpunimin dhe zhvillimin ndërmjet Evropës
dhe Afrikës. Kjo për dy objektiva: i pari është zhvillimi i ekuilibruar në kontinentin
e zi, për ta nxjerrë atë nga prapambetja një herë e përgjithmonë. I dyti ka të bëjë
me rregullimin e mundshëm të flukseve të emigracionit, në mënyrë që çdo person të
zgjedhë nëse do të jetojë në vendin e vet ose të emigrojë në Evropë, sipas flukseve
të ligjshme, alternativë e fuqishme e emigracionit të parregullt”.