2009-10-07 16:53:47

Ekspozita “Pushteti dhe Hiri. Shenjtorët Pajtorë të Evropës”


(07.10.2009 RV)U përurua sot në Pallatin Venezia, në Romë ekspozita “Pushteti dhe Hiri. Shenjtorët Pajtorë të Evropës”, në praninë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinal Tarçizio Bertone dhe kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskoni.
Përmes prizmit të shenjtërisë, iniciativa përshkon marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet pushtetit tokësor dhe autoritetit shpirtëror, një raport i frytshëm, pavarësisht nga konfliktet apo mosmarrëveshjet, që kanë shënuar thellë historinë dymijëvjeçare të Perëndimit të krishterë. Në afreskun e madh hagjiografik të Evropës, shtatëdhjetë shenjtorë e shenjtëresha janë Pajtorët e popujve të marrë veç e veç, ndërsa mbrojtja e krejt kontinentit u është besuar gjashtë modeleve të rralla shpirtërore: Shën Benediktit nga Norçia, shenjtorëve Cirili e Metodi nga Selaniku, Shën Brigjidës së Suedisë, Shën Katerinës nga Siena, Shën Terezës Benedikta e Kryqit.
Popujt evropianë i qëndrojnë besnikë devocionit për këta Pajtorë, që i kanë shoqëruar në momente të vështira e të bukura të historisë dhe kanë dhënë një kontribut themelor për formimin e identitetit shpirtëror, moral e kulturor të kombeve e të Evropës në tërësi. Ekspozita është e ndarë në 10 sektorë, që tregojnë etapat kryesore të historisë evropiane, që nga martirët e parë të Perandorisë Romake e deri në shekullin XX.







All the contents on this site are copyrighted ©.