Urata e Rruzares Shenjte është pasqyrim i Ungjillit, na njeh me misteret e Krishtit.
(06.10. 2009 RV)Sonte Kisha katolike kremton natën e festës së Zojës Rruzare
e me këtë festë, Kisha në një farë mënyre përmbledh të gjitha solemnitetet e vitit
kushtuar Virgjërës Mari. Urata e lashtë e Rruzares Shenjte të cilën Kisha na porosit
ta lusim çdo ditë për të mirën tonë shpirtërore e të mbarë njerëzimit, na ndihmon
të njihemi gjithnjë e më mirë e nga afër me jetën dhe veprën shpëtimprurëse të Jezu
Krishtit. Pra duke lutur uratën e Rruzares Shenjte ne përshkojmë së bashku me Zojën
e Bekuar misteret e fesë së krishterë, misteret e Krishtit. Rruzarja mund të themi
se është pasqyrim i Ungjillit.
Nuk mundë të meditojmë mbi Krishtin, përpos
pa e ndie në shpirt zërin e Atit Qiellor, sepse “askush nuk e njeh Birin përpos Atit
(Mt 11, 27). Krishti kur i pyet apostujt mbi identitetin e tij, pas përgjigjes së
Pjetrit thotë: “As mishi as gjaku nuk ta zbuluan këtë por Ati im që është në qiell”(Mt
16, 17). Pra, është e nevojshme shpallja prej së larti, ndërsa për të pranuar është
i nevojshëm dëgjimi. Përmes përvojës së heshtjes dhe të lutjes arrihet pjekuria e
nevojshme e dijes mbi këtë fshehtësi.
Në vazhdim të lutjes së Rruzares flitet
mbi disa momente të rëndësishme nga jeta e Krishtit, edhe atë që nga fillimi i misionit
të tij. Përpos që meditojmë mbi mishërimin dhe jetën fëmijërore të Krishtit, për çka
flasin shenjat e gëzimit, apo mbi mundimet dhe vdekjen e tij, për çka flasin
shenjat e mundimit e deri te Ringjallja triumfale, për çka flasin shenjat
e lumturisë, Kisha dëshiron që të meditojmë edhe mbi disa momente nga jeta publike
e Krishtit, për çka na flasin shenjat e dritës. Shenjat e
gëzimit
Cikli i parë është i karakterizuar me gëzimin për ngjarjen e Mishërimit
të Birit të Zotit, Jezu Krishtit. Përshëndetja e Engjëllit Gabriel drejtuar Virgjrës
Mari në Nazaret është përshëndetje që shpreh gëzimin mesianik: “Gëzohu o Mari”; në
takimin e Marisë me Elizabetën prapë shprehet gëzimi: “Prej gëzimit i kërceu foshnja
në kraharor (Lk 1, 44). Pastaj lindja e Jezusit e shpallur prej engjëjve si “gëzim
i madh” (Lk 2, 10). Dy shenjat e fundit, paraqitja në tempull dhe gjetja e Krishtit
12-vjeçar në tempull, sa janë momente gëzimi aq janë edhe momente dramatike. Simoni
plak profetizon se një shpatë do t`ia shporojë zemrën Zojës, ndërsa Krishti 12-vjeçar
në tempull dëgjon, diskuton me dijetarët, në të vërtetë ai përgatitet që me dijeninë
hyjnore të mësoj të tjerët. Shenjat e dritës
Prej jetës
fëmijërore të Krishtit në Nazaret arrijmë te jeta publike e tij, apo te shenjat që
mundë të quhen “shenjat e dritës”. Ai është “Drita e botës” (Gjn 8, 12). Papa zgjedhë
këtu momente interesante nga jeta e Krishtit dhe i`a paraqet bashkësisë së krishterë
për meditim. Këto janë: 1. Pagëzimi në Jordan (Ati e shpall Jezu Krishtin “Biri im
i dashur” (Mt 3, 17); 2. Dëftimi në dasmë në Kanë ( Me intervenimin e Marisë Krishti
shndërron ujin në verë dhe të pranishmit aftësohen që të besojnë (Gjn 2, 1-12); 3.
Shpallja e Mbretërisë së Hyjit dhe thirrja në kthim (Mk 1, 15), (bëhet fjalë për faljen
e mëkateve për të gjithë ata që me fe e pranojnë Krishtin (Mk 2, 3-13; Lk 7, 47-48);
4. Shndërrimi i Krishtit ( Shenjë e dritës shndërrimi i Krishtit para apostujve në
malin Tabor. Zoti i porositë apostujt që t`i mbesin besnik Krishtit edhe në momente
të vështira (Lk 9, 35); dhe në fund, 5. Themelimi i Eukaristisë (shenjë drite dhe
shprehje sakramentale e misterit të pashkëve, sepse, përmes Eukaristisë, Krishti na
shndritë duke na ushqyer me Korpin dhe Gjakun e vet. Kështu Ai “deri në fund” e shpreh
dashurinë e tij ndaj nesh (Gjn 13, 1). Shenjat e mundimit
Në
botën e krishterë gjithmonë janë të pranishme vepra të mëshirshme, përkushti të ndryshme
që vijnë në shprehje sidomos gjatë kohës së Kreshmëve, sidomos përmes Udhës së Kryqes,
gjatë së cilës meditojmë mbi shenjat e mundimit. Krishti në kopsht të Gjetsemanit
ndodhet para gjitha tundimeve dhe mëkateve të njerëzimit për t`i thënë Atit: “U bëftë
jo vullnesa ime, por vullnesa jote” (Lk 22, 42). U dorëzohet njerëzve, të cilat e
rrahin dhe e mundojnë. Ngjitja e tij në Kalvar me kurorë ferrash në krye, kryqëzimi
dhe vdekja e tij në Kryq bëjnë që për Krishtin të thuhet: Ecce homo - Ja njeriu! Kush
don ta njohë njeriun, duhet ta ketë të çartë se ai na ka dashur, edhe atë mu deri
në Kryq (Fil 2, 8). Shenjat e lumturisë
Meditimi mbi
Krishtin nuk guxon të ndalet te fakti se Ai është kryqëzuar, për arsye se edhe më
me rëndësi është se Ai është Ringjallur. Përmes meditimit mbi Ringjalljen e tij më
mirë e zbulojmë arsyen e fesë sonë. “Sikur Krishti të mos ishte ngjallur i kotë është
predikimi ynë - i kotë besimi juaj” shkruan shën Pali ( 1 Kor 15, 14). Në qendrën
e këtyre shenjave, pas Ringjalljes dhe Ngritjes në qiell është ardhja e Shpirtit Shenjt
Ditën e Rrëshajëve. Apostujt e bashkuar dhe me ta Maria, me fuqinë e Shpirtit të Zotit
janë të gatshëm për misionin e ungjillëzimit. Shenja e katërt dhe e pestë, Ngritja
e Zojës në qiell dhe kurorëzimi i saj Mbretëreshë e Engjëjve dhe e Shenjtërve, janë
si elemente të cilat na bëjnë të kuptojmë se si pjesëtarë të Popullit të Zotit, jemi
shtegtarë në histori dhe presim bashkimin në lavdi me Atin qiellor.