2009-10-06 15:30:09

Sinodi për Afrikën: Në sitin internet të Radio Vatikanit harta interaktive e tij.


(06.10.2009 RV)RealAudioMP3 Me rastin e Asamblesë të Veçantë të Sinodit për Afrikën Radio Vatikani do të pasqyrojë gjerësisht punimet e saj nëpërmjet programeve, intervistave dhe radiokronikave të drejtëpërdrejta, në mënyrë që të bëhet e ditur ajo çka do të thonë ipeshkvijtë afrikanë. E dimë se shpeshherë mjetet e komunikimit e shohin Afrikën nga e njëjti këndvështrim. Nuk flitet ose flitet pak për ata që përjetojnë situata të veçanta dhe janë të impenjuar në zhvillimin paqësor të shoqërisë së këtij kontinenti. Për këtë arsye Radio Vatikani do të japë ndihmesën e saj duke publikuar në sitin e vet internet materialet audio, video e tekste. Bëhet fjalë për një hartë interaktive siç quhet në gjuhën e internetit, e cila paraqet hartën e vërtetë të kontinentit afrikan e në të cilën çdo shtet përfaqësohet nga një ngjyrë e veçantë. Gjuhët në të cilat mund të lundrosh në këtë sit internet janë: italisht, anglisht, frëngjisht, arabisht, kisuaili, amarisht, tigrisht, portugalisht e spanjisht.
Falë kësaj harte do të jetë e mundur të ndiqen punimet e Sinodit ditë për ditë. Do të mund të lexohen fjalimet e ipeshkvijve dhe të gjenden të gjitha materialet si tekste por edhe audio, përfshi edhe intervistat të bëra nga 18 gazetarët e Radio Vatikanit që po ndjekin nga afër punimet e Sinodit. Nëpërmjet kësaj harte është e mundur gjithashtu të lexohen dokumente e skeda me të dhëna për vendet e veçanta si edhe për Kishat e secilit; mund të gjendet përmbledhja e Dokumentit Përgatitor të Sinodit; fjalimet e Papës Benedikti XVI mbajtur për Konferencat Ipeshkvnore të secilit nga vendet e Afrikës si edhe temat kryesore për të cilat do të diskutohet në Sinod. Të gjitha këto janë të ndara në 14 tema të cilat do të përditësohen vazhdimisht gjatë punimeve të Asamblesë. Këtyre do t’iu shtohen edhe fjalimet e etërve që marrin pjesë në Sinod.







All the contents on this site are copyrighted ©.