2009-10-05 16:01:01

Sinodi për Afrikën: ndërhyrjet e kardinalit Arinze, Turkson dhe imzot Eteroviç


(05.10.2009 RV)Menjëherë pas fjalimit të Papës Benediktit XVI, në Sallën e Sinodit vijuan punimet me ndërhyrje të ndryshme; së pari përshëndetja e njërit prej Presidentëve të delegatëve, kardinalit Francis Arinze, pastaj hyrja në punime, e mbajtur nga Sekretari i përgjithshëm i Sinodit, imzot Nikola Eteroviç, dhe së fundi “Relacioni para diskutimit” mbajtur nga Relatori i përgjithshëm i Sinodit, kardinali Peter Turkson, kryeipeshkëv i Cape Coast, në Ganë.
Afrika në zemër të Kishës Universale: me këtë moto pra filluan punimet e Asamblesë së dytë të veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar kontinentit afrikan. Në hapje të punimeve, kardinali afrikan Arinze kujtoi se Afrika është e njohur, jo vetëm si tokë që kërkon t’u ikë padrejtësive e luftrave, por edhe si një kontinent i dashurisë, solidaritetit e impenjimit për paqen e pajtimin.
Nga ana tjetër, Sekretari i Sinodit imzot Eteroviç, nënvizoi dinamizmin e Afrikës, duhe nxjerr në pah edhe rritjen e thirrjeve meshtarake e rregulltare si dhe shumë veprimtari tjera të Kishës në Afrikë, sidomos në fushën e bamirësisë, të shëndetësisë dhe të edukimit.
Pastaj fjalën e mori Relatori i përgjithshëm i cili, në bazë të Instrumentum Laboris paraqiti argumentet kryesore mbi të cilat do të punojnë Etërit Sinodalë.
“Ka ardhur koha për “të ndërruar marrshin” e për të thënë të vërtetën me dashuri mbi Afrikën, duke promovuar zhvillimin e kontinentit që do t’i sjellë mirëqenie mbarë botës”, tha kardinali Turkson. “Afrika është akuzuar prej një kohe të gjatë nga mediat për gjithë ato gjëra të cilat i urren njerëzimi”. Ajo, përkundrazi, është tregu i dytë botëror që spikat pas Kinës, është kontinenti i rastit të volitshëm dhe i mundësive të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.