2009-10-05 15:59:44

Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, solidariteti i Papës për viktimat e fatkeqësive natyrore në Azi, në Paqësor dhe në Itali. Thirrje për paqen në Guinea


(05.10.2009 RV)Hapja e punimeve sinodale për Afrikën ishte një nga argumentet, që trajtoi Papa Benedikti XVI edhe në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot. Por ajo që e mallëngjeu turmën e besimtarëve, të mbledhur poshtë dritares së Atit të Shenjtë, në Sheshin e Shën Pjetrit, qenë fjalët ngushëlluese të Papës për viktimat e të mbijetuarit e fatkeqësive natyrore, që kanë goditur kohët e fundit zona të tëra në Azi, si edhe tragjedia e rrëshqitjes së dheut dhe e përmbytjeve në Mesinë të Italisë:
“Cunami i Ishujve Samoa e Tonga; tajfuni i Filipineve, që më pas goditi edhe Vietnamin, Laosin e Kamboxhien; tërmeti shkatërrimtar në Indonezi. Këto katastrofa kanë shkaktuar humbje të mëdha në jetë njerëzore, shumë të zhdukur e të pastrehë, si edhe dëme të jashtëzakonshme materiale. Përveç kësaj, mendoj edhe për ata që vuajnë nga shkaku i rrëshqitjes së dheut e nga përmbytjet në Siçili, sidomos në zonën e Mesinës. I ftoj të gjithë të luten me mua për viktimat dhe të dashurit e tyre. Jam shpirtërisht afër të pastrehëve e të gjithë personave të sprovuar, duke iu përgjëruar Zotit që t’ua lehtësojë dhimbjen. Bëj thirrje që të mos u mungojë këtyre vëllezërve dhe motrave solidariteti ynë dhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare”.
Ati i Shenjtë foli edhe për Sinodin afrikan, që po zhvillon punimet në Vatikan. Është një kontinent me rreth 1 miliard vetë, me një pasuri të jashtëzakonshme njerëzore, që ka numrin më të madh të lindjeve në botë, por që mbetet më i varfëri e më i braktisuri. E duke folur për impenjimin e etërve sinodalë, theksoi:
“Është e rëndësishme të nënvizohet se nuk kemi të bëjmë me një konferencë studimi, as me një asamble pragmatike. Dëgjojmë relacione e ndërhyrje në sallë, konfrontohemi në grupe, por të gjithë e dimë mirë se protagonistët nuk jemi ne: është Zoti, është Shpirti i tij i Shenjtë, që udhëheq Kishën. Gjëja më e rëndësishme për të gjithë është të dëgjojmë: të dëgjojmë njëri-tjetrin, e të gjithë bashkë të dëgjojmë atë që Zoti dëshiron të na thotë. Prandaj, Sinodi zhvillohet në një atmosferë feje e lutjeje, me bindje të thellë ndaj Fjalës së Zotit”.
E nga Afrika, pas lutjes mariane, Ati i Shenjtë kujtoi edhe konfliktet, që vënë në rrezik paqen dhe sigurinë e kontinentit të zi:
“Gjatë këtyre ditëve ndoqa me shqetësim episodet e rënda të dhunës, që prekën thellë popullsinë e Guinesë. U shpreh ngushëllimet e mia familjeve të viktimave, i ftoj palët në dialog, në pajtim e jam i sigurtë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të arritur në një zgjidhje të drejtë e të barabartë”.
Të shtunën e ardhshme, sëbashku me etërit sinodalë dhe me të rinjtë universitarë të Romës, Papa do të thotë një Rruzare të veçantë “me Afrikën e për Afrikën”. Përmes satelitit, do të lidhen me Sallën Pali VI në Vatikan, studentët e disa vendeve afrikane.







All the contents on this site are copyrighted ©.