2009-10-05 12:23:12

Gjon Pali II më 1980 nga Otranto kujton persekutimin e egër të komunizmit në Shqipëri


(05.10.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë se si sot, më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës shenjte të atij 5 tetori, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë e qytetarë të thjeshtë”.

Duam të kujtojmë me nderim të veçantë veprimtarinë e Papës Gjon Pali II në favor të Shqipërisë, Kosovës e të shqiptarëve kudo që ndodhen. Po e bëjmë këtë me fjalët që vetë Ati i Shenjtë pat thënë, së pari në sheshin Skënderbej të Tiranës, në vizitën e tij të paharruar të 25 prillit 1993, gjatë së cilës shuguroi ipeshkvijtë e parë shqiptarë të Kishës Katolike, pas komunizmit:
"Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjellur farat e shpresës. Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar.
T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare".
E pastaj për Kosovën, sidomos kur në të ndizej lufta shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq viktima e sakrifica për popullin shqiptar të atyre trojeve, Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij Urbi et Orbi, pikërisht për Pashkët e vitit 1999, pati thënë:
I lutem Zotit të ringjallur t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjarët, për ata që janë detyruar të ikin larg. Të mobilizohet solidariteti i të gjithëve, që më në fund të flitet sërish për vëllazërim e paqe! Si të qëndrojmë pasivë para lumit të dhimbshëm të burrave e grave të Kosovës që trokasin në derën tonë duke kërkuar ndihmë?
Në këtë ditë të shenjtë, unë e ndjej për detyrë t’u drejtohem me një thirrje të zjarrtë autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, që të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, i cili të mundësojë dërgimin e ndihmave për popullsitë e grumbulluara në kufirin e Kosovës. Për veprat e solidaritetit nuk mund të ekzistojnë kufij; është gjithnjë detyrë, hapja e korridoreve të shpresës.
Në këtë ditë, dy vjet pas vdekjes së Papës së madh Gjon Palit II, kombi shqiptar i bën homazh kujtimit dhe veprës së tij në favor të shqiptarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.