2009-10-05 16:00:03

Benedikti XVI hapi në Shën Pjetër Sinodin II të Ipeshkvijve për Afrikën, zemra shpirtërore e një bote në krizë


(05.10.2009 RV)Afrika është një mushkëri e madhe shpirtërore për njerëzimin në krizë feje e shprese. Kështu u shpreh dje Benedikti XVI, gjatë Meshës që përuroi hapjen e Sinodit II të Ipeshkvijve për Afrikën, me temë: “Kisha në Afrikë në shërbim të pajtimit, drejtësisë e paqes. Ju jeni kripa e tokës…Ju jeni drita e botës”.
Gjatë homelisë, Papa vuri në dukje rrezikun e materializmit praktik dhe të fondamentalizmit fetar, që mund të rrënjoset në kontinentin e zi, dhe ripohoi parimin e mbrojtjes së jetës e të familjes së themeluar mbi martesën. Tepër shpesh Afrika shihet si burim lëndësh të para, por ajo është e pasur me të tjera thesare, nënvizoi Ati i Shenjtë:
“Fjala e Zotit na bën të shohim një pasuri tjetër: atë shpirtërore e kulturore, për të cilën njerëzimi ka nevojë shumë më tepër se për lëndët e para… Nga kjo pikpamje, Afrika përfaqëson një “mushkëri” të jashtëzakonshme shpirtërore për njerëzimin, që është në krizë feje e shprese”.
Por, kjo mushkëri mund të sëmuret, vazhdoi Papa, sidomos me një patologji, shumë të përhapur në botën perëndimore, si “materializmi praktik i kombinuar me mendimin relativist e nihilist”.
“Nuk ka diskutim që e ashtuquajtura “botë e parë” ka eksportuar dhe po eksporton plehra helmuese shpirtërore, të cilat dëmtojnë popullsitë e kontinenteve të tjera, në veçanti, ato afrikane. Në këtë kuptim, kolonializmi, që ka marrë fund në planin politik, nuk ka përfunduar kurrë krejtësisht”.
Një virus i dytë që mund të infektojë Afrikën, shtoi Benedikti XVI, është fondamentalizmi fetar, i përzierë me interesa politike dhe ekonomike:
“Grupe që u përkasin feve të ndryshme po përhapen në kontinentin afrikan; e bëjnë këtë në emër të Zotit, por sipas logjikës së kundërt me atë hyjnore, duke mësuar e praktikuar jo dashurinë e respektin për lirinë, por intolerancën dhe dhunën”.
Më pas, Benedikti XVI u ndal në temën e ndërlikuar të martesës në kontekstin afrikan kishtar e shoqëror, duke kujtuar se martesa, ashtu si paraqitet në Bibël, nuk ekziston jashtë marrëdhënieve me Zotin:
“Jeta bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas, e pra edhe e familjes që rrjedh prej saj, kuptohet vetëm në bashkim me Hyjnin e, në dritën e Besëlidhjes së Re, bëhet ikonë e Dashurisë trinitare e sakrament i bashkimit të Krishtit me Kishën. Në masën me të cilën ruan e zhvillon fenë e vet, Afrika mund të gjejë pasuri të pamata në favor të familjes së themeluar mbi martesën”.
Këtu, Papa përmendi gjendjen e fëmijëve, të cilët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë së vuajtur afrikane. Në Afrikë, ashtu si në pjesën tjetër të botës, nënvizoi Benedikti XVI, Kisha shfaq përkujdesjen e saj amnore ndaj më të vegjëlve, që kur nuk kanë lindur akoma:
“Kisha nuk sheh në ta kryesisht njerëz që kanë nevojë për asistencë, e aq më tepër që kanë nevojë për mëshirë, apo mund të manipulohen, por sheh në ta persona me të gjitha të drejtat, të cilët, me mënyrën e tyre, tregojnë rrugën kryesore për të hyrë në mbretërinë e Zotit, atë të lëshimit pa kushte në duart e dashurisë së Tij”.
Duke pasur parasysh Sinodin e parë për Afrikën, që është mbajtur në vitin 1994, Papa kujtoi se akoma sot mbetet aktuale detyra e ungjillëzimit të kontinentit. Kemi të bëjmë me një “ungjillëzim të ri”, i cili duhet të marrë parasysh ndryshimet shoqërore të epokës dhe globalizimin:
“Me veprën e saj të ungjillëzimit e promovimit njerëzor, Kisha mund të japë një kontribut të madh për shoqërinë afrikane, e cila në shumë vende, vuan varfërinë, padrejtësitë, dhunën e luftrat. Thirrja e Kishës, bashkësi njerëzish të pajtuar me Zotin e ndërmjet tyre, është të jetë profeci e tharm pajtimi ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, gjuhësore e fetare, brenda kombeve të veçanta e në të gjithë kontinentin”.
Pajtimi është themeli mbi të cilin duhet ndërtuar paqja, përfundoi Ati i Shenjtë, kusht i domosdoshëm për përparimin e vërtetë të njerëzve në shoqëri. Për t’u bërë “dritë e botës e kripë e tokës”, të gjithë, rregulltarë e laikë, duhet të shenjtërojnë jetën, që Kisha në Afrikë të jetë gjithnjë një familje dishepujsh të vërtetë të Krishtit, ku ndryshimi ndërmjet etnive të bëhet arësye e nxitje për pasurimin e ndërsjelltë njerëzor e shpirtëror”.







All the contents on this site are copyrighted ©.