2009-10-04 19:01:26

Benedikti XVI hap në Vatikan Sinodin e dytë të ipeshkvijve për Afrikën, “mushkëria shpirtërore” e një bote në krizë të fesë e shpresës.


(04.10.2009 RV)Këngët afrikane jehuan sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ku Papa Racinger me kremtimin e Eukaristik ka përuruar zyrtarisht punimet e Sinodit të dytë të veçantë të ipeshkvijve për Afrikën, që mbahet në Vatikan prej ditës së sotme deri më 25 tetor.
Në bazilikën e Vatikanit të mbushur përplot me besimtarë, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, sidomos me origjinë afrikane, Papa ka udhëhequr Meshën në bashkëkremtim me 239 Etër sinodal, ndër të cilët edhe tre Etër sinodal të Kishave lindore, 75 kryeipeshkvij, 120 ipeshkvij, 8 presbiter e 55 bashkëpunëtorë. Në fillim të Meshës, gjatë ritit të Spërkatjes me ujë të bekuar, kori dhe besimtarët kanë kënduar këngët liturgjike “Asperges me” në latinisht, dhe “Nakoma peto” ( Bënë që të bëhem i pastër), në gjuhën lingala. Leximi i parë i Meshës u shqiptua në gjuhčn franceze, psalmi në gjuhën italiane e leximi i dytë në gjuhën angleze. Ungjilli u shpall në latinisht. Lutje besimtarëve në gjuhën svahili, portugalisht, amarikisht, hausa, lingala dhe arabisht.
Afrika është “ruajtëse e një thesari të paçmueshëm për mbarë botën: ai i respektit të thellë që ka ndaj Zotit”. Me gati një miliard banorë e me numrin më lartë të lindjeve është tokë me “pasuri të jashtëzakonshme njerëzore”, edhe pse mjerisht në anën tjetër mbetën plaga e “varfërisë, e padrejtësive, e dhunës dhe e luftërave” e pastaj ekziston prita edhe e “patologjive” si neokolonializmi e fundamentalizmi fetar. Benedikti XVI gjatë hapjes së Sinodit për Afrikën me 224 etërit sinodal, vënë në pak hijet që rëndojnë mbi këtë Kontinent por edhe fuqinë e jashtëzakonshme që ka Afrika për një të ardhme më premtuese. Papa nënvizoi edhe elementet pozitive: “njohja e pranimi i Zotit mbi gjithçka - thekoi Ati i Shenjtë - është një ndër tiparet më domethënëse e që e bashkon kulturën afrikane”. Për Papën, që kujtoi udhëtimin e tij të fundit në Kamerun e Angola, “thesaret e kontinentit afrikan nuk janë vetëm burimet materiale, të cilat shpesh shkaktojnë shfrytëzimin e padrejtë, konfliktet e korrupsionin”. Sipas Benediktit XVI, Afrika është e pasur me tjera thesare edhe më të çmueshme: me thesarin shpirtëror e kulturor, për çka njerëzimi ka nevojë edhe më shumë se sa për të mirat materiale”. Nga ky këndvështrim, Afrika përfaqëson “mushkërinë shpirtërore, për mbarë njerëzimin që duhet se është në krizë të fesë e shpresës”. Ky thesar - tha Papa - duhet ruajtur prej “patologjive të rrezikshme” që tashmë janë përhapur në botën perëndimore, si “materializmi praktik, i kombinuar me mendimin relativist e nihilist”. Nëse “kolonializmi ka përfunduar në planin politik, ende nuk ka përfunduar krejtësisht”. Prandaj Papa propozon të kundërshtohen e luftohen dukuritë negative me përforcimin e vlerave morale e shpirtërore. Ndër këto vlera është edhe martesa, ashtu siç paraqitet nga Bibla, “nuk ekziston jashtë marrëdhënies me Zotin”.”Jeta martesore e burrit dhe gruar, këndej jeta familjare, ekziston në bashkim me Zotit, e në dritën e Besëlidhjes së Re, bëhet ikonë e Dashurisë Trinitare e Sakrament i bashkimit të Krishtit me Kishën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.