2009-10-03 11:11:36

Çarmatimi bërthamor: editorial i atë Lombardit


(03.10.2009 RV)RealAudioMP3 Ekzibicionizmi i arsenaleve atomike gjatë Luftës së Ftohtë ishte rruga e një epoke kur bota ishte e ndarë në dy blloqe lindje-perëndim, në konflikt me njëri-tjetrin, e kur jugu i pazhvilluar nuk kishte aspak rëndësi. Sot, kushtet e ndryshuara gjeopolitike kërkojnë zëvendësimin e armëve kaq shkatërruese me dialogun e globalizuar, edhe për të gjetur një ekuilibër të ri me vendet që po zhvillohen me shpejtësi, si nga pikpamja industriale, ashtu edhe nga ajo ushtarake. Pra, duhet të kalojmë nga frika te besimi, siç na shpjegon në editorialin e kësaj jave, drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi:
“Frikësimi përmes armëve bërthamore i përket periudhës së Luftës së Ftohtë e nuk mund të justifikohet më në ditët tona… Armët bërthamore kërcënojnë jetën në planet, kërcënojnë vetë planetin e si pasojë edhe procesin e tij të zhvillimit”. Këto e shumë fjalë të tjera të fuqishme shqiptoi në Nju Jork, gjatë ditëve të kaluara, kryeipeshkvi Mambertì në emër të Selisë së Shenjtë, për të pohuar edhe një herë përkrahjen e plotë dhe solidaritetin e Papës me çdo përpjekje në favor të çarmatimit dhe të mospërhapjes së armëve bërthamore. Fatkeqësisht, Traktati i Ndalimit global të provave bërthamore, megjithëse është nënshkruar që prej shumë vjetësh nga shumë vende, nuk ka hyrë akoma në fuqi për shkak të mungesës së ratifikimit e madje edhe të nënshkrimit nga ana e disa shteteve, ndër të cilët fuqitë me aftësi bërthamore të avancuar. Traktati – pohon imzot Mambertì – mund t’i japë përgjigje jo vetëm rrezikut të përhapjes së armëve bërthamore dhe të terrorizmit bërthamor, por do t’i japë një shtysë edhe çarmatimit bërthamor.
Nga atmosfera e kërcënimit në atmosferën e besimit: vetëm kështu mund të garantohet promovimi i paqes dhe i zhvillimit të popujve. “Çarmatimi i plotë” është një nga drejtimet e përmendura nga Benedikti XVI në Enciklikën e tij të fundit, për “ta bërë vërtet konkrete familjen e kombeve”, që qëndron pas OKB-së dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ku duam të shkojmë? Të gjithë e dimë sa forca e burime ekonomike dhe intelektuale tërheq armatimi nga impenjimi për zhvillim e nga lufta kundër urisë, e sa dëm sjell në marrëdhëniet ndërmjet popujve. Kisha nuk do të lodhet kurrë së përsërituri këtë gjë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.