2009-10-03 15:48:51

U shpall i Lumë, Shërbëtori i Zotit Eustakius (Jozef) Kugler, rregulltar i Urdhërit të Shën Gjonit të Zotit


(04.10.2009 RV)RealAudioMP3 Sot në Regensburg të Gjermanisë u shpall i Lumë, Shërbëtori i Zotit Eustakius (Jozef) Kugler, rregulltar i Urdhërit të Shën Gjonit të Zotit ose Fatebenefrateli. Përfaqësuesi i Atit të Shenjtë në këtë kremtim qe Kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
Jozef Kugler lindi në Nojhauz më 15 janar 1867. I ati ishte bujk dhe farkëtar. Gjatë punës në Mynih për të mësuar zanatin e farkëtarit, Jozefi i ri ra nga skela duke u gjymtuar për tërë jetën. Në vitin 1884 u transferua në Raihenbah, pranë familjes së të motrës, e filloi të punojë si farkëtar në qendrën për të sëmurët mendorë e të gjymtuar të Fatebenefratelit. Pati kështu mundësinë të njihej e të formohej sipas karizmës së Themeluesit dhe sipas jetës rregulltare të Urdhërit, ku hyri në vitin 1893 me emrin Fra Eustakius. Pasi mori kushtet, në vitin 1898, shërbeu në Urdhër si farkëtar, infermier, drejtor i strukturave shëndetësore. Nga viti 1925 e deri në vdekje qe Epror i Provincës bavareze të Fatebenefratelit. Impenjimi i tij ishte i jashtëzakonshëm për të sëmurët e të gjymtuarit, të vuajturit në korp e shpirt, të cilëve u tregonte kujdes pa kufi, aq sa të quhej “gjigant i përshpirtërisë” dhe “njeri i shërbimit”. U përpoq me sukses për ndërtimin e një spitali në Regensburg. Në vitin 1937, Provinca rregulltare e Regensburgut u vu nën kontrollin e Gestapos. Fra Eustakius u mor në pyetje dhe u arrestua disa herë. Gjatë Luftës II Botërore, spitali i Regensburgut qe pikë referimi dhe arriti të shmangë shkatërrimin, pas bombardimit të 17 gushtit 1943, në të cilin humbën jetën 400 vetë. Disa muaj pasi festoi 50-vjetorin e kushteve rregulltare, Fra Eustakius u shua më 10 qershor 1946 në Regensburg, i sëmurë nga kanceri.








All the contents on this site are copyrighted ©.