2009-10-03 15:50:17

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas kalendarit kishtar


Sot e diel 4 tetor, Kisha kremton të dielën e 27-të gjatë vitit kishtar e gjithnjë sot më 4 tetor kalendari kishtar përkujton edhe festën e Shën Françeskut të Asizit, themeluesit të Urdhrit Françeskan. Festa e Shën Françeskut na kujton se vizioni optimist i Varfanjakut të Asizit për gjithësinë e posaçërisht për njeriun vëlla duhet parë si shembull e nxitje edhe në ditët tona, sepse i kundërvihet konceptimit aktual të përfitimit, që e shikon botën dhe njeriun me syrin e fitimit, dhe përpiqet të na bindë se sendet tokësore e kalimtare e madje edhe njerëzit vlejnë vetëm atëherë kur na shërbejnë. Shën Françesku na mëson ta dhurojmë jetën për të mirën e të afërmit tonë.
Nesër e hënë 5 tetor kalendari Kishtar katolik përkujton shenjtorët Plaçidin e Maurin, dishepuj të Shën Benediktit.
 
Të martën e ardhshme me 6 tetor kalendari kishtar do të përkujtojë Shën Brunon nga Kalabria, meshtar, themelues i Çertozinëve.
 
Të mërkurën me 7 tetor bie festa e Zojës Rruzare. Po më 7 tetor përkujtohen edhe shenjtorët Sergji e Baku, martirë, shumë të nderuar nga populli shqiptar, të cilëve u kushtohet edhe një nga kishat më të lashta në Shqipëri. Kisha ndodhet vetëm 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, pranë fshatit Shirq, ku lumi Drin bashkohet me Bunën. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI për nderim ndaj dy martirëve, emrat e të cilëve në shqip morën trajtat Shën Shirqi e Shën Bahti.
 
Të enjten e ardhshme me 8 tetor kalendari kishtar përkujton shenjtoret Benedikta dhe Pelageja, virgjër e martire.
 
Të premten me 9 tetor, kalendari kishtar përkujton Shën Dionisin, ipeshkëv e shokët e tij martirë; shën Gjon Leonardin, meshtar, themelues i Klerikëve Rregulltarë të Nënës së Zotit dhe Shën Abrahamin, patriark.
 
Të shtunën e ardhshme me 10 tetor, sipas kalendarit kishtar bie festa e shën Paolinit, ipeshkëv i Jorkut dhe e shën Danielit, Samuelit e shokëve të tyre, martirët e parë françeskanë.
 
Të dielën me 11 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 28-të gjatë vitit kishtar e po me 11 tetor kalendari kishtar na propozon shembullin e shën Filipit diakon, të shën Aleksandër Saulit, ipeshkëv i Pavisë dhe të Lumit Gjoni XXIII, papë.







All the contents on this site are copyrighted ©.