2009-10-03 15:48:39

Mesha e Papës Benedikti XVI në përurimin e Sinodit kushtuar Afrikës


(04.10.2009 RV)RealAudioMP3 U përurua sot me një meshë të kremtuar nga Papa Benedikti XVI, Sinodi i veçantë i Ipeshkvijve për Afrikën. Punimet do të fillojnë nesër në Vatikan. Në prag të tyre, ipeshkvijtë afrikanë nënvizojnë përpjekjet e Kishës për paqen dhe pajtimin në kontinent.
Ungjillëzimi, paqja e pajtimi janë në qendër të dokumentit të paraqitjes së Instrumentum Laboris të Asamblesë II të Veçantë për Afrikën të Sinodit të Ipeshkvijve, publikuar nga Simpoziumi i Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës e të Madagaskarit (SECAM). Një shqyrtim i shpejtë i përpjekjeve të SECAM-it gjatë 40 vjetëve të ekzistencës së tij – shkruhet në dokument – nxjerr në pah se që nga fillimi, në korrik 1969, ipeshkvijtë e kontinentit u impenjuan për të mbështetur Papën Pali VI në misionin e tij të paqes në Afrikë, me publikimin e dy deklaratave për paqen e zhvillimin në përfundim të Asamblesë përuruese.
Më vonë, ipeshkvijtë afrikanë bënë një deklaratë mbi pajtimin e pendesën në Afrikë, në përfundim të Asamblesë së gjashtë të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që u zhvillua në vitin 1983 në Romë, si përgjigje e ndarjeve dhe e tensionit në kontinent. Gjatë viteve, ipeshkvijtë kanë zhvilluar iniciativa të ndryshme për promovimin njerëzor në Afrikën e sotme, për drejtësinë e paqen, për mënyrën e zgjidhjes së konflikteve dhe të ungjillëzimit në kontinentin e zi.
Hapat e fundit fillojnë në tetor 2001, me publikimin e një letre baritore të SECAM-it mbi temën e asamblesë së një viti më parë: “Krishti paqja jonë. Si Kisha – Familje e Zotit mund të jetë sakrament Pajtimi në Afrikë”. Letra, e cila është aktuale edhe sot, paraqet problemet, konfliktet dhe luftrat në Afrikë, vendos ballë për ballë paqen që ofron bota me atë të ofruar nga Krishti, duke u bërë thirrje popujve afrikanë të përqafojnë rrugën e paqes, të pajtimit e të dashurisë. Të frytshme për Kishën e kontinentit kanë qenë reflektimet mbi Këshillimin Apostolik “Ecclesia in Africa” dhe diskutimi i propozimeve për Asamblenë II të Sinodit, që do të fillojë nesër, në mënyrë që ajo të sjellë fryte të bollshme për Afrikën.








All the contents on this site are copyrighted ©.