2009-10-03 09:00:05

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të 'B': Nëse duam njëri-tjetrin, Zoti është me ne!


(03.10.09.R.V.)Të nderuar dëgjues e lexues të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 27-të gjatë vitit, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.
Fjala e Zotit e kësaj së diele na ofron mundësinë për të reflektuar mbi Sakramentin e martesës, pra tema kryesore që na propozojnë leximet biblike është vizioni, vështrimi i krishterë i martesës. Shkëlqimi i thirrjes martesore si dhuratë dashurie, e thirrja që kjo bukuri e harmoni dashurie të mos dëmtohet e shkatërrohet nga mjerimet e mangësitë e njeriut, që shpesh e bëjnë të pafrytshëm e të thatë dashurinë martesore të vulosur me bekim të Hyjit.
Pra, në këtë të diele Liturgjia e Fjalës Hyjnore na paraqet misterin e dashurisë, mister dashurie që bashkon burrin e gruan në qenie të vetme, mister vendosur sipas planit të Zotit që ka krijuar burrin e gruan porsi dy qenie përplotësuese dhe në përngjasimin e tij. Misteri i dashurisë dhe ia i bashkimit mes personave është tema qendrore e liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele. Shembulli tipik i këtij bashkimi është lidhja ndërmjet burrit e gruas, e dashur nga Zoti si shenjë e dashurisë së vet krijuese. Dashuria e anasjelltë ndërmjet personave e posaçërisht e në mënyrë tejet të veçantë ndërmjet burrit e gruas, është shenja më e lartë e lirisë së personit për tjetrin në të cilën dashuri dhuruese, Jezusi na thërret me jetën e tij dhe me kumtimin e tij.
Në këtë aspekt lutja e dytë e hyrjes së Meshës së kësaj të diele na thërret t’i lutemi Zotit me këto fjalë: “...në saje të Shpirtin tënd sjelli bijtë e Adamit në shenjtërimin e zanafillës së parë, e dhuroju atyre, o Zot, një zemër besnike, në mënyrë që kurrfarë pushteti njerëzor të mos marrë guximin të ndajë atë çka ti vet ke bashkuar”.
“Të dy do të jenë një trup i vetëm”: kjo është porosia e leximit të parë nga Libri i Zanafillës, me tërë simbolizmin e tregimit të zanafillës së njerëzimit. Për dashuri burri e gruaja bashkohen e shkrihen në një qenie të vetme, për të dhuruar së bashku jetën, e kështu për të qenë shenjë e nismës së vazhdueshme krijuese të Zotit.
Tema e vet zanafillës dhe thirrja në bashkim karakterizojnë leximin e dytë nga Letra e Hebrenjve: ajo sheh në Krishtin, Njëlindurin e shumë vëllezërve, pikën në të cilën është thirrur të përkojë mbarë njerëzimi.
Përsëri, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, marrë nga shën Marku, na propozohet ideali i zanafillës: “njeriu të mos guxojë të ndajë çka Zoti bashkon”. Për të kuptuar e shijuar këtë mister të bashkimit në dashuri, duhet të kemi sytë e zemrës së dashuruar dhe gatishmërinë e dhurimit e të flijimit të vetvetes, që vetëm personat e thjeshtë e të sinqertë, siç janë fëmijët, mund t’i kenë e të jenë. Referimi ndaj fëmijës si simbol i gatishmërisë dhe aftësisë së besimit, na ofrohet nga pjesa e fundit e tekstit të Ungjillit të kësaj së diele. Me pak fjalë, Fjala e Zotit e Meshës Shenjte të kësaj së diele ndriçon e përforcon dashurinë që ne kërkojmë ta jetojmë brenda familjeve e bashkësive tona.
 
Homelia
Të dy do të jenë një trup i vetëm
Njeriu nuk e sos apo shteron thirrjen e vet ekskluzivisht në zotërimin e materies dhe në përpjekjet e veta për përmirësimin e kushteve të jetës sepse ai bart në vetvete nevojën e takimit me një qenie për afërsi me të. Mashkulli e zbulon pikërisht vetveten tek gruaja. Strukturimi seksual i burrit dhe i gruas sikurse e tërë jeta e tyre trupore duhet kuptuar dhe duhet jetuar si prani, gjuhë dhe pranim i tjetrit. Trupi në njëfarë mënyre është Sakrament antropologjik fillestar, shenja e dukshme e së padukshmes. Trupi është krijuar për të transferuar në realitetet e dukshme të botës misterin e fshehur të amshimit të Zotit, duke u bërë kështu shenjë e tij.
Në leximin a parë nga Libri i Zanafillës na paraqitet dukja e gruas në horizontin e jetës së burrit. Uniciteti i saj, plotësimi mes tyre kremtohen dhe shprehen në magjepsjen e burrit që njeh tek gruaja vetveten “Këtë herë ajo është trupi i trupit tim”.
Ndërsa ungjilli flet për fillimin duke nënkuptuar me të origjinën, shpalosjen e parë të këtij dhurimi reciprok sepse në të zbulohet edhe domethënia e njeriut dhe themeli i tij i përhershëm. Fillimi, pra, nuk është këtu çasti i parë kohor, por shpalosje fillestare, ajo tejdukshmëri e projektit hyjnor mbi seksualitetin njerëzor që del në pah falë aktit krijues të Perëndisë. Fillimi, siç thoshte Papa Gjon Pali II, është trashëgimia e çdo njeriu në botë, shpallja e parë e identitetit njerëzor sipas fjalës së zbuluar, burimi i parë i sigurisë së thirrjes së vet si person i krijuar në përngjasimin e Zotit.
Duke thënë këtë Jezusi gjykon ekonominë e vjetër të ligjeve të Moisiut dhe në të njëjtën kohë tregon edhe kriterin e përhershëm të gjykimit, masën e së vërtetës. Po cili është kuptimi dhe e vërteta e kësaj lidhjeje mes burrit dhe gruas?
“Zoti e ka krijuar njeriun në përngjasimin dhe shëmbëllesën e vet duke e thirrur në jetë për dashuri e ka thirrur në të njëjtën kohë në dashuri. Zoti është dashuri dhe ai jeton në vetvete një mister afërsie personale dashurie. Duke e krijuar në përngjasimin e vet Hyji vazhdimisht e mban njeriun në jetë dhe gdhend tek njeriu thirrjen, do të thotë aftësinë e dashurisë dhe të afërsisë. Prandaj dashuria është thirrja themelore e çdo qenieje njerëzore” (krah. Gjon Pali II). Është pikërisht në këtë domethënie “martesore” të fshehur te njeriu në të cilin gjen rrënjë ai realizim i njeriut nëpërmjet dhurimit të vetes, jo thjesht një dhurim, por dhurimi total dikujt. Në këtë domethënie “martesore” e ka fillesën pritja e zemrës së njeriut për t’u dashur nga dikush, për t’u gjetur i denjë për t’u dhuruar. Thotë filozofi rus Berdjajev “Dashuria është ajo që e shndërron individin në një person”. Kjo bën që të zër fill një dinamizëm perceptues së vetes si vlerë, përforcon ekzistencën në domethënien e saj. Dhe kjo domethënie “martesore” nuk është thjesht formë shpirtërore, por merr edhe konkretizimin e saj. Afirmimi i personit nuk është gjë tjetër veçse pranim i dhurimit.
Lidhja e thellë mes burrit dhe gruas është më i thellë se çdo lidhje tjetër, është aq i thellë dhe intim saqë krijon gati një qenie të vetme. Krishti nëpërmjet fjalëve të ungjillit të sotëm nuk ndalet thjesht në dukjen e jashtme, por i jep kësaj lidhjeje rastin e një zgjatjeje në kohë.
Le të jetë kjo e diel, pra, një ftesë për të gjithë ne, që duke kundruar sublimitetin e thirrjes që Perëndia ka shpalosur në ne, të mund të ecim me besim në këtë të vërtetë, sepse vetëm kështu do të mund të gjejmë atë paqe qe shpreh harmoninë me veten , Zotin dhe kozmosin që psalmi i liturgjisë na paraqet

Kështu do të bekohet njeriu që e druan Zotin.
Të bekoftë Zoti nga Sioni,
Paqe mbi Izraelin!
don Arjan Shkurti







All the contents on this site are copyrighted ©.