2009-10-02 15:23:55

Papa ambasadorit të ri amerikan Diaz: SHBA-të e Selia e Shenjtë sëbashku për paqen e zhvillimin. Të mos ndahet mbrojtja e jetës nga promovimi shoqëror.


(02.10.2009 RV)RealAudioMP3 Garantimi i paqes dhe i zhvillimit për krejt njerëzimin dhe mbrojtja e jetës në çdo fazë të saj ishin sot temat kryesore të fjalimit të Papës Benedikti XVI në paraqitjen e letrave kredenciale të ambasadorit të ri të SHBA-ve pranë Selisë së Shenjtë, Miguel Humberto Diaz, të cilin e priti në Pallatin Apostolik të Kastelgandolfos. Papa u ndal në binomin “liria dhe e vërteta”, themel për çdo demokraci të shëndoshë, dhe nënvizoi kontributin e Kishës lokale në shoqërinë amerikane.
Ati i Shenjtë vlerësoi njohjen nga ana e amerikanëve të nevojës për solidaritet dhe impenjim më të madh për të zgjidhur problemet më urgjente të planetit. Mbrojtja e vlerave si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë, nënvizoi Papa, nuk mund të shihen më në mënyrë individualiste ose thjesht kombëtare, por në perspektivën më të gjerë të së mirës së përbashkët të krejt shoqërisë njerëzore. Vazhdimi i krizës ekonomike, shtoi Benedikti XVI, kërkon rishikimin e strukturave aktuale politike, ekonomike dhe financiare në dritën e vlerave etike e morale, për të siguruar zhvillimin e gjithanshëm të të gjithë popujve.
Më pas, Papa kërkoi që përballimi i problemeve në formë shumëpalëshe të bëhet jo vetëm në fushën e politikës ose ekonomisë, por për të gjitha temat që përcaktojnë të ardhmen e njerëzimit, si ushqimi, klima, shëndetësia dhe eliminimi i armëve bërthamore. Benedikti XVI shprehu kënaqësinë e tij për mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryesuar nga presidenti Obama, e cila miratoi një rezolutë për çarmatimin bërthamor. Ati i Shenjtë kujtoi edhe vizitën e presidentit amerikan në Vatikan në korrikun e këtij viti dhe udhëtimin e tij në SHBA, vitin e kaluar.
Nga ana e tij, ambasadori Miguel Humberto Diaz, teolog 46 vjeçar, me orgjinë kubane, u impenjua të jetë urë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe SHBA-ve. Një nga këto bashkëpunime, që ai vuri në dukje, është edhe konferenca mbi Sidën, që do të mbahet së shpejti në Romë, organizuar pikërisht nga ambasada amerikane pranë Selisë së Shenjtë dhe Karitasi Ndërkombëtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.