2009-10-02 16:40:03

Atë Bernardin Palaj OFM në 115-vjetorin e ditëlindjes.


(2.10.2009 RV) Shfletojmë kalendarin për të përkujtuar 115 vjetorin e lindjes së Atë Bernardin Palajt, françeskan shqiptar, martir i fesë katolike, poet, folklorist, studiues i letërsisë e i historisë së kishës, një nga figurat më të ndritura të asaj që njihet si "shkolla letrare e fretërve".
Atë Bernardini lindi më 2 tetor 1894 në një familje me origjinë nga Shllaku.. Mësimet e para dhe të mesme i mori në shkollën françeskane në Shkodër, ku u thirr nga Zoti për rrugën e meshtarisë në Urdhrin e Fretërve të Vegjël. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u nis për studime në Graz të Austrisë, ku kreu filozofinë e teologjinë dhe u shugurua meshtar.
U kthye menjëherë në Atdhe, ku filloi veprimtarinë meshtarake e kulturore, duke shërbyer si famullitar ndër fshatrat e vendlindjes. Krahas veprimtarisë meshtarake, nisi të mblidhte thesaret e krijimtarisë gojore të popullit, gojëdhëna, këngë, doke, zakone. Atë Bernardinit i takon merita e pamohueshme e mbledhësit të parë të epikës legjendare shqiptare. Është ai që, së bashku me sivëllaun, Atë Justin Rrotën, i dhuroi kulturës shqiptare një nga brilantet më të ndritshëm: përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit e të Halilit. Ishte viti 1939 kur përmbledhja “Kangë kreshnikësh e legjenda” pa për herë të parë dritën e shtypit.
Botoi shumë shkrime në shtypin klerikal të kohës, posaçërisht në “Hyllin e Dritës” e në “Zanin e Shëna Ndout”, por edhe në gazetën “Tomori”. Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që më 1940. Ka botuar edhe librat "Prej burgut të jetës"; "Vorreve të flamurit", "Kuq e zi, "Mite, besime, legjenda" (ribotuar pak vite më parë në Kosovë); "Kanuni i maleve" etj.
Si shpërblim për të gjithë këto merita, më 1947 u burgos. Pasi u torturua mizorisht, një ditë ogurzezë të vitit 1948 u lidh shtrëngueshëm me tel të ndryshkur, që i hapi plagë vdekjeprurëse e u flak nën shkallët e spitalit të burgut, ku dha shpirt mes dhimbjesh të papërshkrueshme, shkaktuar nga tetanosi, si martir i fesë e dëshmor i lirisë.
Ndërsa mbytej e mohohej në atdhe, në mërgatën shqiptare për krijimtarinë e tij u interesua vazhdimisht Ernest Koliqi, i cili botoi shumë shkrime të tij e për të.
Në vitet '30 Atë Bernardini shikohej si poeti që do të zinte vendin e Atë Fishtës, duke sjellë një frymë të re moderne në letrat shqipe. Në vitin 2006, vit i 115- vjetorit të ditëlindjes së tij, Atë Bernardin Palaj OFM është një nga kandidatët shqiptarë të martirizuar nga komunizmi për t’u lartuar në nderimet e elterit!
******
Atë Bernardin Palaj, OFM (1894-1947)

Atë Bernardin Palaj lindi ne fshatin Shllak të Shkodrës më 2 tetor të vitit 1894. Rrjedhë nga një familje që e çmonte diturinë dhe qeshtjen kombtare.
Mësimet e para i mori në shkollen fillore të Etërve Françeskan në Shkoder që drejtohej nga Atë Gjergj Fishta.
Pas gjimnazit në Seminarin Françeskan kreu edhe studimet e Liceut, në Salzburg, përkatësisht në drejtimin filozofi - teologji. Në Isbruck të Austrisë ndoqi edhe kurset univerzitare të Fakultetit shtetror të letërsisë.
Zhgunin françeskan e veshi më 15 shtatorë të vitit 1911, ndersa në gusht të vitit 1919 u shugurua meshtar.
Më 1920 Atë Bernardini debuton për her të parë në revisten “HYLLI I DRITES” që drejtohej prej Fishtes, një studim i cili zgjoi kureshtjen e lexuesve të shumtë të popullit shqiptar.
Ndërkohë Atë Bernardini ishte edhe profesor i gjuhës shqipe dhe i gjuhes latine në Liceun ILLYRICUM të Shkodres, përkatësisht famullitar në Dioqezen e Pultit dhe të Rubikut.
Më 15 prill të vitit 1923 bashkë më vllëzrit Mjeda, Fishtën, Harapin, Prenushin, e disa të tjer botuan në Shkodër gazetën "ORA E MALEVË”.
Përveç si meshtar Atë Bernardini njihet si mbledhës i pasionuar i folklorit, përkatësisht i rapsodive të malësisë. Shkroi dhe botoi poema epiko - lirike me pseudonimet: Kukel Lapaj, Konstandinus, Viator, përpos këtyre ishte edhe etnograf, muzikant e pianist.
Botoi edhe shumë punime rreth dokeve, zakoneve etj.
Më 1940 merr pjesë në KONGRESIN E STUDIMEVE SHQIPTARE. Ndersa më 1944 rikthehet famullitar, ndersa dy vite më vonë më 1946 arrestohet si armik i popullit nga komunistët ku edhe vdes më 8 dhjetorë të vitit 1947 në Burgun e Shkodrës.
 
Për 15 vjet mblodhi rapsodi në Malsi

Nga viti 1919 - 1934 Atë Bernardini tërë kohën ia kushtoi mbledhjes së rapsodive shqiptarë, që për 15 vjet punoi pa nderprerë bashkë më Donat Kurtin ku nisi botimin e këtyre rapsodivë në fillim të Hylli i Drites që drejtohej nga Atë Gjergj Fishta e për ti përfunduar ato në Tiranë, në botimin e dytë veprës së njohur VISARET E KOMBIT këngë kreshnikë dhe legjenda.
Në parathënjën e këti libri ndër të tjera thuhet: “Këngët e vjetra”, që njihen prej malësorëve më emrin “Këngë kreshnike, Këngë të moçme, Këngë lahute”, janë thesari i paçmushëm i gjuhës.
Që në fillim të këtyre këngëve Atë Gjergj Fishta shprehet: “Ku ma ke edhe ndër litëraturë të kombëve të qytetnume një përkthim me ngjyra më të gjalla, më shëmbulltyra më të përshtatuna e më një burrni më bujare ma fisnike e të njëzëshme”.
Atëher kur kihet parasysh se keto se u thanë më lart shihet qartë se Atë Bernardini nuk ishte vetem mbledhës i rapsodive, por Ai i përpunonte ato në variante të ndryshme si poet i fuqishëm me një mjeshtëri të rrallë pa prekur në freskinë orgjinale që ato këngë ngerthenin në vete.
 
Çfarë tha Fishta dhe cilat janë shtatë poemat e Atë Bernardinit

Poeti Atë Bernardini fillon dhe mbaron brenda viteve 1933 - 1942 ku shkroi shtatë poema epiko - lirike me mbi 6000 vargje si dhe tri poezi, dy prej të cilave u botuan pas vdekjes se tij.
Keto shtatë u botuan në revisten “Hylli i Drites” sipas kësaj kronologjije:
“Prej burgut të jetes” - 1933
“Valet e një shpirti” - 1934
“Moskë - Alkazar” - 1937
“Vorreve të flamurit” - 1937
“Kuq e zi” - 1937
“Ndermjet të shën Gjergjeve” - 1938 dhe
“Kah nata e vetme” - 1941.
Këto zgjuan kureshtjen e opinionit dhe të studiuesve të letërsisë shqipe.
Poeti Atë Gjergj Fishta duke e parë seriozitetin, talentin, mjeshterinë, gjuhën e pastert të keti poeti thotë: Ky ka talent të madh e njef gjuhën shqipe me themel dhe shton se ky do të na kalojë të gjithëve.
Keto janë shtatë poemat e Atë Bernardinit të cilat qëndrojnë si vepra në vete, por që skalisin portretin e poetit si një ndër skalitesit e fjalës, vargut dhe rinis shqiptare.
 
Etnograf i mirëfillt

Atë Bernardini zë një vend të merituar edhe në etnografinë shqiptare, Ai botoi në Shkodër disa vepra etnografike:
“Dokë e kanu në Dukagjin” - 1942
“Mite, besime e legjenda” - 1943
“Dioqezi i Pultit” - 1943 dhe
“Kanuni i maleve” - 1944.
Për Atë Bernardinin shkruan edhe studiuesi prof. Dr. Alfred Çapaliku në vepren “Atë Bernardin Palaj - Jeta dhe Vepra” ku thotë se Ky e heton psikologjinë e shqiptarëve dhe njef thëllësisht popullin, gurrën e pashterrur të folklorit nëpërmjet të cilit spikaten aspiratat e kombit në përgjithësi.
Kështu që veprat e tij për gjysëm shekulli u heshten, u injoruan, u përbuzen, u nëpërkëmben, dhe pas atij gjysëm shekulli veprat e Atë Bernardin Palaj filluan të shkruhen e të përmenden, sic kemi fatin që sot t’i kemi në revisten tonë dhë të mund t’i lexojmë.
 
Muzikant dhe Muzikolog

Atë Bernardini njihet si muzikant. Është i njohur si autorë i tekstit dhe i muzikes së këngëve tashë të njohura me përmbajtje patriotike si:
“Flamuri”, “Vaji i bylbylit”, e pra e përmbledhur në tetë vargje ku jepet e gjithë historia e popullit shqiptarë ndersa e dyta i bën jehonë gjendjes së mjerueme të Shqipërisë nën pushtimin fashist.
Këto dy këngë me tekst dhe muzikë të Atë Bernardinit u përhapen në tërë Shqipërinë e sidomos në mesin e rinisë shkodrane.
Ndersa studiusi prof. dr. Alfred Çapaliku shkruan se Atë Bernardini edhe si fëmjë i kishte rënë fyellit e si djalosh e si burrë u bë i ditur edhe në muzikë, ku ishte edhe në orkestëren e Liceut „ILLYRICUM” në Shkodër.
 
Fundi tragjik

Studiues të shumtë i quajnë Atë Bernardin Palaj dhe Atë Gjergj Fishtën si “HOMERET SHQIPTARË” dhe vepran e tyre si “ILIADË SHQIPTARE” por si përfunduan këta burra të kombit si: Palaj, Harapi dhe Prenushi, Zadeja dhe Kurti? I burgosen, vdiqen nëper burgje disa nga torturat e disa edhe i pushkatuan.
Atë Bernardini e parandinte dhe u thoshte shokëve se nuk do të mund t’u qëndrojë torturave. Dhe vertetë kështu ndodhi në oborrin e Kuvendit Françeskan të kthyer në burg nga regjimi komunist. Atë e mundonin e rrahnin për vdekje deri sa një ditë ia humbën ndienjat. Kjo vazhdoi deri sa edhe ju helmua gjaku dhe vdiq nga një sëmundje i akuzuar si agjent i të huajve.
Një atëdhetar i flaktë që tërë jetën punoi për të mirën e kombit, të mirën e atëdheut u cilësua si i tillë.

 
Në vend të perfundimit

Studiuesi i jetës dhe i veprës së Atë Bernardinit prof. Dr. Alfred Çapaliku në veprën e tij “Atë Bernardin Palaj - Jeta dhe veprat” për këtë figurë madhorë të letërsisë shqipe ndër të tjera pohon:
“Dhe brezat që shkojnë e vijnë e quajnë argatin e folklorit Atë Bernardin Palaj “LONROST” shqiptar.
Nëse ELIAS LONROST ( 1802 - 1884 ) mblodhi këngë të moçme, histori dhe legjenda duke udhëtuar në të gjitha tokat e tij, që i përdori si për rindertimin e poemes kombëtare finlandeze, të njëjten gjë e bëri edhe Atë Bernardin Palaj duke jua risjellë shqiptarëve nga mjegulla e kohërave”. Aleksander Tanushi, OFM







All the contents on this site are copyrighted ©.