(01.10.2009 RV)“Dhe ja, po kalonte
Zoti! Para tij u çua një stuhi: erë e fortë!...Pas stuhisë ra tërmeti… Pas tërmetit
erdhi zjarri… Pas zjarrit një puhi frymë të hollë” (1 Mbr 19,11-12). Në këto fjalë
nga Libri i Mbretërve, Hyji paraqitet me simbole. E pikërisht fjala “simbol” është
ajo që do të shpjegojmë në emisionin e sotëm, të dashur dëgjues.
Në versionin
e lashtë të Biblës në greqisht, që quhet “e Shtatëdhjetave”, tri herë përdoret fjala
symbolon (Oz 4,12; Urt 2,9;16,6), e cila nuk gjendet më në Besëlidhjen e Re. Termi
grek do të thotë fjalë për fjalë “çka është vënë bashkë”, prandaj e kundërta
e tij është diabolos, “ai që ndan”. Mund të bashkohen dy skaje të realitetit,
si koha dhe amshimi, hapësira dhe pafundësia, relativja dhe absolutja. Në kuadrin
fetar, funksioni i simbolit është pikërisht të niset nga një realitet konkret, i kufizuar,
eksperimental për ta tendosur atë deri sa të shkojë drejt plotësisë e përsosurisë
trashendente. Le të japim një shembull të drejtpërdrejtë. Dashuria që përshkruhet
në Këngën e Këngëve është ajo e një çifti njerëzor të vërtetë me krejt emocionet,
pasionet dhe dhurimin e vetvetes që përjetojnë të dashuruarit. Është në të, e jo duke
u nisur prej saj për ta eliminuar, që shihet pasqyrimi i dashurisë hyjnore, e cila
bëhet e kuptueshme pikërisht në atë dashuri njerëzore, që çohet deri në plotësinë
absolute. E atëherë, Ai dhe Ajo në Këngën e Këngëve nuk janë më thjesht dy të dashuruar,
por Zoti dhe shpirti, ose Zoti dhe Izraeli, ose Krishti dhe shpirti besnik, ose Krishti
dhe Maria. Simboli është pra kompakt, sepse flet njëkohësisht për Zotin e për
njeriun e për këtë arësye, Krishti është simboli më i lartë, sepse siç thotë parathënia
e Shën Gjonit, bashkon në vetvete Logos, Fjalën e amshuar e hyjnore dhe sarx, korpin
konkret e njerëzor. Bibla përdor shumë simbole, pikërisht sepse bazohet në
një fe historike, prandaj duhet të bashkojë hyjnoren e njerëzoren. Të mendojmë për
shembull Zbulesën, ku paraqitet nje triumf simbolesh kozmike, zoomorfe, kromatike
apo numerike. Këto të fundit madje përdoren jashtëzakonshit shumë e në judaizëm i
japin zanafillën një disipline të quajtur “gjematri”, e cila u jep numrave vlera simbolike,
mbi bazën e arësyetimeve të ndërlikuara tradicionale. Për shembull, shtata ka vlerën
e plotësisë dhe të përsosurisë. Edhe shembëlltyrat e Jezusit bëjnë pjesë në gjuhën
simbolike, sepse flasin për ngjarjet njerëzore, duke i kthyer në shenja të gjalla
sidomos të Mbretërisë së Zotit e të domethënies së saj shpirtërore e shëlbuese. Gjuha
teologjike, për natyrën e saj, ka nevojë të përdorë simbolin për të folur për Zotin.
Edhe Shpirti i Shenjtë na paraqitet përmes tri simboleve: era, pëllumbi dhe zjarri.