2009-10-01 15:23:38

Papa kthehet nga Kastelgandolfo në Vatikan. Gjatë përshëndetjes me bashkësinë e vendit përmendi shën Terezën e Liziësë.


(01.10.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI përshëndeti sot bashkësinë fetare e civile si edhe punonjësit e Kastelgandolfos, ku si zakonisht, kaloi pjesën më të madhe të verës. Para se të kthehej në Vatikan, Ati i Shenjtë falenderoi të gjithë ata që me përkushtim e impenjim, i garantuan pushimin e qetë në qytezën e Lacios. Për të gjithë, duke u nisur nga ipeshkvi i Albanos e nga kryetari i bashkisë, Papa pati fjalë falenderimi e bekime. Duke kujtuar se sot Kisha Katolike kremton festën e shën Terezës së Krishtit Fëmijë, Benedikti XVI reflektoi mbi shembullin dhe aktualitetin e karmelitanes së kuvendit të Liziësë:
“Dëshmia e saj tregon se vetëm fjala e Zotit, e pranuar dhe e kuptuar me kërkesat e saj konkrete, bëhet burim i jetës së përtërirë. Shoqërisë sonë, shpesh të përshkuar nga kultura racionaliste e nga materializmi i përhapur praktik, Tereza e vogël e Liziësë i tregon si përgjigje për pyetjet e mëdha ekzistenciale, “rrugën e vogël”, që sheh thelbin e gjërave. Është shtegu i dashurisë, që mund të përqafojë e t’i japë kuptim e vlerë çdo ngjarjeje njerëzore”.
Papa i ftoi të pranishmit të ndjekin shembullin e shenjtes, pasi në rrugën e përshkuar prej saj mund të ecin të gjithë. Ajo është rruga e besimit të plotë në Zotin, që është Dashuri e nuk na braktis kurrë.







All the contents on this site are copyrighted ©.