Koncert në praninë e Papës për 70-vjetorin e shpërthimit të Luftës II Botërore
(01.10.2009 RV)Edhe muzika mund
të favorizojë dialogun dhe pajtimin e të pengojë që të përsëriten tmerret e Luftës
II Botërore. Kjo është ideja që qëndron në bazën e koncertit të organizuar nga
Këshilli Papnor për bashkimin e të krishterëve, Komisioni për marrëdhëniet fetare
me hebraizmin dhe Ambasada gjermane pranë Selisë së Shenjtë. Ai është në program për
në datën 8 tetor, në praninë e Papës Benedikti XVI. Iniciativa u paraqit sot paradite
në Vatikan nga kryetari i Këshillit Papnor, kardinali Valter Kasper, i cili nënvizoi
se 70 vjet pas shpërthimit të Luftës II Botërore, Selia e Shenjtë dëshiron t’i drejtohet
jo vetëm brezit që i ka vuajtur tmerret e saj, por edhe brezit të ri e të gjithë atyre,
që duan të nxjerrin mësime nga e kaluara për të ndërtuar një botë më të mirë. Koncerti
do të propozojë pjesë të kompozitorit Gustav Mahler dhe sinfoninë e katërt të Feliks
Mendelsonit, shoqëruar me leximin e teksteve nga Gëte, Hajne e Breht, realizuar nga
aktori gjerman Klaus Maria Brandauer. Do të ekzekutojë orkestra e përbërë nga muzikantë
të rinj, me prejardhje nga 15 kombe të ndryshme, me dirigjent Johem Hohshtenbah dhe
Volfgang Gonenvain. Koncerti ka patronazhin e Komitetit ndërkombëtar hebraik për dialogun
ndërfetar, gjë që u vu në dukje nga kardinali Kasper, i cili kujtoi se historia ka
lënë “plagë” edhe në marrëdhëniet ndërmjet dy feve. “Për të shëruar këto plagë
të tjera – nënvizoi kryetari i Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve – Kisha
Katolike është nxitëse kryesore e pajtimit dhe e procesit të kurimit të kujtesës,
duke u bërë një zë gjithnjë e më i vendosur. Ky impenjim përbën sfondin e koncertit”
– përfundoi ai.