2009-09-30 17:06:04

Shën Jeronimi në Audiencat e përgjithshme të Benediktit XVI


Po e përqendrojmë sot vëmendjen tonë tek Shën Jeronimi, Atë i Kishës, që ia kushtoi gjithë jetën Biblës: e përktheu, e komentoi e mbi të gjitha, u përpoq ta jetonte konkretisht, megjithëse njihej mirë si njeri me karakter të vështirë e me temperament të zjarrtë.

Jeronimi lindi në Stridone rreth vitit 347 në një familje të krishterë, që i siguroi mundësinë të merrte arsim të shëndoshë, duke e dërguar edhe në Romë për të përsosur studimet. Kur ishte i ri, u josh shumë nga jeta shekullare (Cfr Ep. 22,7), por në shpirtin e tij fitoi dëshira dhe interesi për fenë e krishterë. Si mori pagëzimin rreth vitit 366, nisi të bënte një jetë asketike e, pasi shkoi në Akuileia, u bashkua me një grup të krishterësh, që mblidhej rreth Ipeshkvit Valeriani, të cilin e quajti “kori i të lumëve” (Chron. ad ann. 374).

U nis, më pas, për në Lindje e jetoi si jeremi në shkretëtirën e Kalçides, në jug të Alepit (cfr Ep. 14,10) duke iu kushtuar seriozisht studimeve. Mësoi në mënyrë të përkryer gjuhën greke, filloi studimin e hebraishtes (cfr Ep. 125, 12) dhe transkriptoi kode e vepra patristike (cfr Ep. 5,2). Meditimi, vetmia, takimi me Fjalën e Hyjit e ndihmuan të fitonte pjekurinë në fenë e krishterë. Nisi ta ndjejë fort peshën e gabimeve të rinisë (cfr Ep. 22,7) në sa e shihte gjithnjë më qartë kontrastin ndërmjet mendësisë pagane e jetës së krishterë: kontrast që u bë i njohur nga vegimi i rëndë e dramatik, të cilin e tregoi ai vetë. Pa, pra në vegim, se po e fshikullonin me kamxhik para syve të Zotit, sepse “ishte ciceronian e jo kristian” (cfr Ep. 22, 30).

Në vitin 383 u transferua në Romë: këtu Papa Damasi, duke e njohur famën e tij si asket e kompetencën e tij si studiues, e zgjodhi sekretar e këshilltar; i dha zemër të niste një përkthim të ri latin të teksteve biblike, për përdorim baritor e kulturor. Disa njerëz nga aristokracia romake, posaçërisht gra fisnike, si Paola, Marçela, Azela, Lea e të tjera, që kishin dëshirë të përsosnin jetën e tyre të krishterë e të thellonin njohuritë për Fjalën e Zotit, e zgjodhën si atë shpirtëror e mësues në punën metodike me tekstet shenjte.

Pas vdekjes së Papës Damasi, në vitin 385 Jeronimi u largua nga Roma e nisi shtegtimin, më parë në Tokën Shenjte, dëshmitare e heshtur e jetës tokësore të Krishtit, më pas në Egjipt, tokë që e zgjidhnin shumë murgjër (cfr. Contra Rufinum 3,22; Ep. 108,6-14). Në vitin 386 u ndalua në Betlehem ku, falë bujarisë së fisnikes Paola, u ndërtuan një kuvend mashkullor, një femëror e një strehë për shtegtarët që shkonin në Tokën Shenjte, “me mendimin se Maria e Jozefi nuk kishin gjetur vend ku të mbështesnin kokën” (Ep. 108,14).

Në Betlehem qëndroi deri në vdekje, duke vijuar veprimtarinë e tij të palodhur: komentoi Fjalën e Zotit; mbrojti fenë, duke iu kundërvënë gjallërisht herezive të ndryshme; i nxiti murgjërit të përsosnin jetën e tyre; u dha nxënësve të rinj mësime të kulturës klasike e kristiane; mikpriti me shpirt baritor shtegtarët që vizitonin Tokën Shenjte. U shua në qelën e tij, pranë Shpellës së Betlehemit, më 30 shtator të vitit 419/420.

Përgatitja letrare dhe kultura e gjërë i krijuan Shën Jeronimit mundësitë për rishikimin e përkthimin e shumë teksteve biblike: punë shumë e çmuar kjo për Kishën latine e për kulturën perëndimore. Duke u bazuar mbi tekstet origjinale në greqisht e hebraisht e në sajë të ballafaqimit me variantet e mëparshme, ai mundi të realizonte rishikimin e Katër Ungjijve në gjuhë latine, më pas psalterin dhe pjesën më të madhe të Besëlidhjes së Vjetër.

Duke pasur parasysh origjinalin hebraik e grek të të Shtatëdhjetëve, variantin grek të Besëlidhjes së Vjetër të kohës parakristiane si dhe variantet e mëparshme latine, Jeronimi, i ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorë të tjerë, mundi të realizonte përkthimin më të mirë, atë që njihet me emrin ‘Vulgata’, tekst zyrtar i Kishës latine, që u njoh si i tillë nga Koncili i Trentos e që, pas rishikimit të kohëve të fundit, mbetet tekst zyrtar i Kishës në gjuhën latine. Është me interes të njohim kriteret që ndoqi biblisti i madh në punën e tij si përkthyes. E tregon ai vetë, kur pohon se respektoi deri rendin e fjalëve të Shkrimit Shenjt, sepse në të, thotë ai, “edhe rendi i fjalëve është mister” (Ep. 57,5), dmth zbulesë.

Ripohon edhe nevojën për njohjen e teksteve origjinale: “Në se do të lindë ndonjë diskutim ndërmjet Latinëve mbi Besëlidhjen e Re, për shkak mospërkimi në interpretimin e dorëshkrimeve, i drejtohemi origjinalit, dmth tekstit në gjuhën greke, në të cilën është shkruar Testamenti i Ri. Njëlloj edhe për Besëlidhjen e Vjetër, në rast se do të ketë mospërkime ndërmjet teksteve greke e latine, shfletojmë tekstin origjinal, hebraik; kështu gjithçka gurron nga burimi, mund ta gjejmë rishtas në përrenjtë” (Ep. 106,2). Përveç tjerash, Jeronimi komentoi edhe shumë tekste biblike. Sipas tij, komentarët duhet të japin shumë opinione, në mënyrë që lexuesi i kujdesshëm, pasi të ketë lexuar shpjegime të ndryshme e pasi të ketë njohur mendime të ndryshme – që mund të pranohen ose të hidhen poshtë – të gjykojë cili është më i besueshmi dhe, si saraf i vërtetë, të mos e pranojë paranë false” (Contra Rufinum 1,16).

Hodhi poshtë me energji e mprehtësi heretikët që kundërshtonin traditën dhe fenë e Kishës. Dëshmoi sa e rëndësishme dhe e vlefshme ishte letërsia e krishterë, e cila tashmë qe bërë kulturë e vërtetë, e denjë për t’u ballafaquar me atë klasike: e këtë e realizoi duke shkruar veprën De viris illustribus, në të cilën Jeronimi përmblodhi biografitë e më se njëqind autorëve të krishterë. Shkroi edhe biografi murgjërish, duke shpjeguar, përkrah rrugëve të tjera shpirtërore, edhe idealin murgar; përktheu edhe vepra të ndryshme nga autorë grekë. Së fundi, në Epistolarin e tij tepër të rëndësishëm, kryevepër e letërsisë latine, Jeronimi bëhet i njohur si njeri i ditur, asket e prijës shpirtrash.

Ç’mund të mësojmë ne nga Shën Jeronimi? Më duket se mbi të gjitha mund të mësojmë këtë: ta duam Fjalën e Zotit në Shkrimin Shenjt. Thotë Shën Jeronimi: “Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin. Prandaj ka shumë rëndësi që çdo i krishterë të jetojë në kontakt e në dialog personal me Fjalën e Zotit, që na është dhuruar në Shkrimin Shenjt. Dialogu ynë me të, duhet të ketë dy përmasa: nga njëra anë, duhet të jetë dialog vërtetë personal, sepse Hyji flet me secilin prej nesh përmes Shkrimit Shenjt e ka një mesazh për secilin.

E Shkrimin Shenjt nuk duhet ta lexojmë si një fjalë që i përket së kaluarës, por si Fjalën e Hyjit, që na drejtohet edhe ne e të përpiqemi të kuptojmë ç’dëshiron të na thotë Zoti. Por, për të mos rënë në individualizëm, duhet të kemi gjithnjë parasysh se Fjala e Zotit na u dhurua pikërisht për të ndërtuar bashkësinë e Kishës: prandaj duhet ta lexojmë bashkë me Kishën e gjallë. Vendi i privilegjuar i leximit e i dëgjimit të Fjalës së Hyjit është liturgjia, në të cilën, duke kremtuar Fjalën e duke e bërë të pranishme në Sakramentin e Korpit të Krishtit, aktualizojmë Fjalën e Hyjit në jetën tonë dhe e bëjmë Atë të pranishëm ndërmjet nesh.

Nuk duhet të harrojmë kurrë se Fjala e Hyjit i kapërcen kufijtë e kohërave. Opinionet njerëzore vijnë e shkojnë. Ajo që sot është modernizëm, nesër është vjetrizëm. Ndërsa Fjala e Zotit është Fjalë e jetës së pasosur, mbart në vete amshimin, dmth vlen përgjithmonë. Prandaj mund të themi se duke e mbartur në shpirtin tonë Fjalën e Hyjit, mbartim në vetvete amshimin, jetën pa perëndim”.E kështu, po përfundoj me një fjalë të Shën Jeronimit e të Shën Paolinit të Nolës. Në të Ekzegjeti i madh shpreh pikërisht këtë realitet, dmth na kujton se nga Fjala e Zotit marrin amshimin, jetën e pasosur. Thotë Shën Jeronimi: “Të përpiqemi për të mësuar mbi tokë ato të vërteta, që kanë vlerë edhe në qiell”. Vatikan me 07.11.2007.

*******
Audienca e përgjithshme e Benediktit XVI kushtuar Shën Jeronimit (II). Vatikan e mërkurë 14. 11. 2007
Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Jeronimit: “Edukimi i plotë, moral e fetar, i njeriut, e përjashton dhunën.
Tekst i plotë.
(14.11.2007 RV)Po vijojmë sot paraqitjen e figurës së Shën Jeronimit. Siç thamë të mërkurën e kaluar, ai ia kushtoi gjithë jetën studimit të Biblës aq, sa njëri prej paraardhësve të mi, Papa Benedikti XV, e shpalli “dijetar të Kishës në interpretimin e Shkrimeve të Shenjta. Jeronimi nënvizonte gëzimin dhe rëndësinë që buron nga familjarizimi me tekstet biblike: “Thua s’të duket se banon në mbretërinë e qiejve që këtu në tokë, kur jeton ndërmjet këtyre teksteve, kur i mediton, kur nuk njeh e nuk kërkon asgjë tjetër, veç tyre?” (Ep. 53, 10).

Në të vërtetë, dialogu me Hyjin, me fjalën e Tij, në një farë mënyre do të thotë prani e Qiellit, dmth prani e Hyjit. Të lidhesh ngusht me tekstet biblike, sidomos me Besëlidhjen e Re, ka rëndësi themelore për besimtarin, sepse “të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin”.
Është e tija kjo frazë e famshme, e cituar edhe nga Koncili II i Vatikanit në Kushtetutën Dei Verbum (n. 25).
Vërtetë i dashuruar me Fjalën e Hyjit, ai pyeste veten: “Si mund të jetohej pa shkencën e Shkrimeve, përmes të cilave mëson të njohësh vetë Krishtin, që është jeta e besimtarëve? (Ep. 30,7).
“Bibla, mjeti me të cilin Hyji u flet çdo ditë besimtarëve” (Ep. 133, 13), bëhet kështu nxitje e burim i jetës së krishterë në çdo situatë e për çdo njeri. Të lexosh Shkrimin Shenjt do të thotë të flasësh me Hyjin: “Në se lutesh – i shkruan ai një vashe fisnike romake – ti flet me Dhëndrrin; në se lexon, është ai që të flet”. (Ep. 22, 25). Studimi e meditimi i Shkrimit Shenjt e bëjnë njeriun të urtë e paqësor. (cfr In Eph., prol).

Natyrisht për të depërtuar gjithnjë më thellë në Fjalën e Hyjit, është i nevojshëm zbatimi i saj i përhershëm e progresiv. Shën Jeronimi e këshillonte kështu Nepocinin meshtar: “Lexoi vazhdimisht Shkrimet hyjnore; madje Librin shenjt mos e hiq kurrë nga duart. Duhet ta nxësh këtu, atë që pastaj do t’ua mësosh të tjerëve (Ep. 52,7). Matronës romake Leta i jepte këto këshilla për edukimn e krishterë të së bijës: “Siguroju se ajo studion çdo ditë ndonjë fragment të Shkrimit Shenjt… Pasi të lutet, të lexojë e pasi të lexojë, të lutet… është më mirë për të të dojë shkrimet hyjnore, sesa stolitë e veshjet (Ep. 107,9.12). Me meditimin e me shkencën e Shkrimeve të Shenjta ruhet drejtpeshimi i shpirtit” (Ad Eph., prol).

“Vetëm fryma e thellë e lutjes dhe ndihma e Shpirtit Shenjt mund të të ndihmojnë për ta kuptuar Biblën: “Në interpretimin e Shkrimit Shenjt ne kemi gjithnjë nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt” (Në Mich. 1, 1, 10, 15)”.
Pra mund të themi se dashuria për Shkrimet e Shenjta e pushtoi Jeronimin për gjithë jetën; një dashuri, të cilën ai u përpoq ta ngjallte gjithnjë edhe në zemrat e besimtarëve. E këshillonte kështu një nga bijat e tij shpirtërore: “Duaje Shkrimin Shenjt e do të të dojë urtia; duaje me gjithë shpirt, e ai do të të ruajë; nderoje, e do të ledhatojë. Ta kesh në vend të gjerdanit e të vëthëve” (Ep. 130,20). E akoma: “Duaje shkencën e Shkrimit Shenjt, e s’ke për t’i dashur joshjet e mishit e të gjakut” (Ep.125,11).

Për Jeronimin kriteri themelor i metodës në interpretimin e Shkrimit Shenjt ishte përkimi me magjisterin e Kishës. Nuk mund ta lexojmë kurrë Biblën vetëm. Gjejmë shumë porta të mbylluara e shkasim lehtësisht në gabim. Bibla u shkrua nga Populli i Hyjit e për popullin e Hyjit, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Vetëm përmes këtij bashkimi me Popullin e Hyjit mund të hyjmë me gjithë vetveten në bërthamën e së vërtetës, të cilën dëshiron të na e thotë vetë Zoti. Për Shenjtin, interpretimi i Biblës duhet të jetë gjithnjë në pajtim të harmonishëm me fenë e Kishës katolike. Kjo nuk është kërkesë që i imponohet Librit nga jashtë; Libri është pikërisht zëri i Popullit shtegtar të Hyjit e vetëm përmes fesë së këtij Populli jemi në gjendje ta kuptojmë Shkrimin Shenjt. Prandaj Jeronimi këshillonte: “Forcoje gjithnjë më shumë lidhjen me doktrinën tradicionale që të është mësuar, në mënyrë që ti të mund të këshillosh sipas doktrinës së shëndoshë e t’i rrëzosh tezat e atyre që të kundërshtojnë” (Ep. 52, 7). Posaçërisht, duke pasur parasysh se Jezu Krishti e themeloi Kishën e vet mbi Pjetrin, çdo i krishterë – përfundonte ai – duhet të jetë në bashkim “me Katedrën e Pjetrit”. Unë e di se mbi këtë shkëmb ngrihet Kisha” (Ep. 15,2). Rrjedhimisht, me plot gojën, deklaronte: “Unë jam përkrah atyre që bashkohen me katedrën e Shën Pjetrit” (Ep. 16)

Shën Jeronimi, natyrisht, nuk e shpërfill kurrë aspektin etik. Shpesh herë ai kujton detyrën për të jetuar sipas Fjalës hyjnore, sepse vetëm duke e jetuar, fitojmë aftësinë edhe për ta kuptuar. Një koherencë e tillë është e domosdoshme për gjithë të krishterët e, në mënyrë të veçantë, për predikatarin, në mënyrë që veprat e tij të mos e venë në pozitë të vështirë, kur të jenë në mospajtim me fjalimet që mban. Ja si e nxit meshtarin Nepocian: ‘Veprat tua nuk duhet të jenë në kundërshtim me fjalët tua, për të mos ndodhë që, kur të predikosh në Kishë, ndokush të thotë me vete: “Po ti vetë, pse nuk vepron kështu?”. I lezetshëm vërtetë ky mësues që, si e ka mbushur mirë barkun, të mëson të agjërosh; edhe një hajdut mund ta dënojë koprracinë; por Meshtari i Krishtit duhet të flasë gjithnjë ashtu si mendon”. (Ep. 52, 7).

Edhe në se ka një doktrinë të shkëlqyer, njeriu që ndjen se e dënon ndërgjegjja e vet, nuk mund të mos mbetet i turpëruar” (Ep. 127,4) Gjithnjë lidhur me temën e koherencës, ai vëren: “Ungjilli duhet të shndërrohet në vepra dashurie të krishterë, sepse Jezu Krishti është i pranishëm në çdo qenie njerëzore. Duke iu drejtuar, për shembull, Paolinin meshtar (që u bë më pas Ipeshkëv i Nolës dhe Shenjt), Jeronimi e këshillon kështu: “Tempulli i vërtetë i Krishtit është shpirti i besimtarit: stolise, shenjtëroje, zbukuroje, lëri në të dhuratat tuaja, e merr Krishtin”.

“Ç’ kuptim ka t’i veshësh muret me gurë të çmuar, në se Krishti vdes urie në njeriun e varfër? (Ep. 58, 7). Jeronimi konkretizon: duhet ta veshim Krishtin në të varfërit, ta vizitojmë në të munduarit, ta ushqejmë në të uriturit, ta strehojmë në njerëzit që nuk kanë çati mbi kokë”(Ep. 130,14). Dashuria për Krishtin, e ushqyer me studim e meditim, na bën të kapërcejmë çdo vështirësi: “Ta duam edhe ne Jezu Krishtin, të kërkojmë gjithnjë bashkimin me të e atëherë do të na duket e lehtë edhe puna më e vështirë”.

Jeronimi, të cilin Prosperi i Akuitanisë e quajti “model i sjelljes e mjeshtër i gjinisë njerëzore” (Carmen de in gratis, 57), na la edhe një mësim të pasur e të larmishëm mbi asketizmin e krishterë. Ai na kujton se impenjimi i guximshëm për të arritur përsosurinë, kërkon vigjilencë të përhershme; mundim të vazhdueshëm të korpit, ndonëse me masë e me urti; punë këmbëngulëse intelektuale ose fizike, për të shmangur plogështinë (cfr Epp.125,11 e 130,15), e sidomos, bindje të plotë para Hyjit: “Asgjë… nuk i pëlqen Zotit, më shumë se bindja…, që është më i larti e i vetmi virtyt” (Hom. De oboedientia: CCL 78, 552). Në sjellet asketike bën pjesë edhe praktika e shtegtimeve. Shën Jeronimi nxiti posaçërisht shtegtimet në Tokën Shenjte, ku shtegtarët gjenin strehë e mikprtje në ndërtesat që u ngritën pranë kuvendit të Betlehemit, falë bujarisë së fisnikes Paola, bijë shpirtërore e Shën Jeronimit (cfr Ep. 108,14).

Nuk mund të harrohet, më në fund, edhe ndihmesa e Jeronimit në fushën e pedagogjisë së krishterë (cfr Epp. 107 e 128). Ai propozon të formojë “një shpirt që duhet të bëhet tempull i Hyjit (Ep. 107, 4), një ‘gur të çmuar para syve të Hyjit (Ep. 107,13). Me intuitë të fortë, ai këshillon ruajtjen nga e keqja e nga rastet që të shtyjnë për të mëkatuar si dhe mospranimin e miqësive të dyshimta ose shthurëse (cfr Ep. 107,4 e 8-9; cfr edhe Ep. 128, 3-4). I nxit sidomos prindërit që t’u krijojnë fëmijëve një mjedis të qetë e gazmor, t’i nxisin të studiojnë e të punojnë, duke përdorur edhe lavdërimin e frymën e garës (cfr Epp. 107,4 e 128,1), t’u japin zemër për të kapërcyer vështirësitë, t’i favorizojnë sjellet e tyre të mira e t’i ruajnë nga veset e këqija sepse – e këtu citon një frazë të Publio Siro-s, të dëgjuar në shkollë – “tepër e vështirë është t’i ndreqësh veset, me të cilat je mësuar duke i përsëritur çdo ditë, pa u shqetësuar fare”. (Ep. 107,8).

Prindërit janë edukatorët e parë të fëmijëve, mësuesët e parë të jetës. Me qartësi të madhe, duke iu drejtuar nënës së një vajze e duke cekur, më pas, edhe të atin, Jeronimi këshillon, gati-gati duke shprehur një kërkesë themelore për çdo krijesë njerëzore që del në dritë: “Ajo duhet të gjejë tek ti mësuesen, duhet të të shikojë e mrekulluar me syrin e vashës së papërvojë. As tek ti e as tek i ati, nuk duhet të vërejë kurrë sjellje të cilat e shtyjnë në mëkat fëmijën, që kërkon gjithnjë t’u përngjajë të mëdhenjve. Mos harroni se mund të edukoni shumë më tepër me shembull, sesa me fjalë” . (Ep. 107,9). Ndërmjet arritjeve të Jeronimit si pedagog, duhet nënvizuar rëndësia që i jepte edukimit të shëndoshë e të gjithanshëm që nga vitet e para të fëmijërisë, përgjegjësisë së posaçme që kanë prindërit në këtë drejtim, urgjencës për edukimin moral e fetar, kërkesës së studimit për formimin sa më të plotë njerëzor. Përveç tjerash, një aspekt të cilit nuk i kushtohej vëmendje në kohët e lashta, por që për autorin tonë konsiderohet jetik, është zhvillimi i gruas, së cilës i njeh të drejtën për një formim të plotë: njerëzor, shkollor, fetar, profesional.
E pikërisht sot shikojmë sesi edukimi i personalitetit në tërësinë e tij, edukimi i përgjegjësisë para Hyjit e para njeriut, është kushti i vërtetë i çdo progresi, i çdo paqeje, i çdo pajtimi e i çdo mospranimi të dhunës.

Edukimi para Hyjit e para njeriut: është Shkrimi Shenjt që na prin drejt realizimit të edukimit para Hyjit e para njeriut e kështu, edhe drejt humanizmit.
Nuk mund t’i mbyllim këto shënime të shpejta mbi Atin e madh të Kishës, pa përmendur sadopak ndihmesën e tij për mbrojtjen e elementeve pozitive e të vlefshme të kulturave të lashta hebraike, greke e romake në qytetërimin e krishterë që po lindte. Jeronimi njohu e përvetësoi vlerat artistike, pasurinë e ndjenjave dhe harmoninë e figurave të krijuara nga klasikët, që edukojnë zemrën e fantazinë me ndjesi fisnike.
Mbi të gjitha ai vuri në qendër të jetës e të veprimtarisë së tij, Fjalën e Hyjit, që i tregon njeriut shtigjet e jetës e i zbulon të fshehtat e shenjtërisë. Për gjithë këtë, nuk mund të mos i jemi thellësisht mirënjohës, pikërisht në ditët tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.