(30.9.2009 RV)Pas cunamit që shkatërroi bregdetin e Samoas e Tongas , një tërmet
i fuqishëm ka goditur ishullin e Indonezisë Sumatra, ku janë rrëzuar shtëpi, hotele,
dyqane, shkolla e spitale. Bilanci i përkohshëm i viktimave është 75 të vdekur, por
numri mund të rritet. Dridhjet e tërmetit prej 7.6 shkallë të Rihterit raportohet
të jetë ndjerë edhe në kryeqytet, në Xhakartë, që gjendet disa qindra kilometra larg.
Një burim nga ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se me “mijëra persona kanë mbetur
nën gërmadha të ndërtesave të rrënuara nga tërmeti” dhe se në Padang është rrënuar
një spital. Po kështu njoftohet për shkatërrimin e kulmit të aeroportit të Padangut,
në këtë qytet njerëzit janë me panik. Qendra e Paqësorit për Cunamin ka lëshuar një
paralajmërim për cunami në Indonezi, Malajzi, Indi dhe Tajlandë. Tërmeti goditi në
më pak se një ditë, pasi që një tjetër u ndie në Paqësorin Jugor, duke shkaktuar një
cunami, që ka lënë të vdekur të paktën 113 njerëz në ishujt Samoa dhe Tonga.