Kryeipeshkvi Miliore në Asamblenë e OKB-së: të përtërihet rendi ndërkombëtar nga brenda
sistemit të Kombeve të Bashkuara.
(30.09.2009 RV)Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, kryeipeshkvi
Çelestino Miliore mbajti dje një fjalim para Asamblesë së përgjithshme të Kombeve
të Bashkuara, mbledhur në sesionin e saj të 64-t. “Ne popujt e Kombeve të Bashkuara,
të vendosur…të ripohojmë besimin në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin
e në vlerën e personit, në barazinë e të drejtave të burrave e grave e të kombeve
të mëdha e të vogla…” Kështu shkruhet në parathënien e Kartës së OKB-së, miratuar
në vitin 1945. Duhet të rikthehemi te këto parime bazë, tha imzot Miliore, për ta
përtërirë rendin ndërkombëtar nga brenda, aty ku ndodhin krizat e vërteta. Përfaqësuesi
i Selisë së Shenjtë uroi të koordinohen më mirë mbledhjet e G8-ës, të G20-ës, takimet
rajonale e ndërkombëtare me Asamblenë e OKB-së, në mënyrë që vendimet e marra në selinë
e OKB-së të pasqyrojnë vërtet pikpamjet dhe aspiratat e krejt popujve të globit. Gjithashtu
duhen gjetur mënyra më të mira për t’i lidhur vendimet e grupeve të vende të ndryshme
me ato të OKB-së. Çdo njeri, theksoi kryeipeshkvi, ka të drejtë të ketë një qeverisje
të denjë. Nga ana tjetër, secili duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta e të
respektojë dinjitetin e tjetrit. Të drejtat e detyrat janë të pandashme. Imzot Miliore
denoncoi gjendjen në Honduras, kërkoi që ndihmat për zhvillim të mos drejtohen kundër
rritjes demografike dhe bëri thirrje që në Konferencën e Kopenhagenit mbi klimën,
e cila do të mbahet nga 8 deri më 16 dhjetor, vendimet të merren si detyrë morale
e të kthehen në norma ligjore, që mbrojnë planetin e u sigurojnë brezave të ardhshëm
një ambient të shëndetshëm.