2009-09-29 16:41:04

Rritet shqetësimi në bashkësinë ndërkombëtare pas hedhjes të raketave të fundit nga Irani.


(29.9.2009 RV)Bashkësia ndërkombëtare është e shqetësuar pas hedhjes së raketave të fundit nga Irani, dje. Këto prova me raketa amerikanët i cilësuan si provokime dhe paralajmëruan se gjatë takimit të 1 tetorit që do të mbahet në Gjenevë, Teherani duhet t’i pranojë medoemos inspektimet e Agjencisë Bërthamore Ndërkombëtare në impiantin e Komit në mos dashtë sanksione të tjera.
Dje, pra, iranianët hodhën disa raketa me rreze të gjatë dhe të mesme, ndërkohë që ditët e kaluara kishin provuar edhe ato me rreze të shkurtër veprimi. Raketat e fundit Sexhil, që arrijnë në 2 mijë km, dhe ato Shahab 2, që shkojnë nga 1300-2000 km, janë armë që mund të godasin edhe Izraelin apo bazat amerikane në Gjirin Persik.
SHBA, Britania dhe Gjermania sygjerojnë që sanksionet ndaj Iranit të zgjerohen duke përfshirë edhe të ardhurat që ka ky vend nga shitja e naftës dhe gazit. Ndërsa nga ana tjetër Rusia dhe Kina kërkojnë që provat me raketa të mos shërbejnë si pretekst për ashpërsimin e sanksioneve dhe të këmbëngulet në përpjekjet diplomatike.







All the contents on this site are copyrighted ©.