Në Festën e Kryeengjëjve, Kisha na porosit: “Të jemi engjëj për njëri-tjetrin”.
(29.9.2009 RV)Njerëzit duhet të bëhen engjëj për njëri-tjetrin”. Këtë na kujton
Kisha në festën e tre Kryeengjëjve: Mikelit, Gabrielit e Rafaelit. Këta janë lajmëtarë
ndërmjet qiellit e tokës, ndërmjet madhështisë së Zotit dhe nevojave e mjerimit të
bijve të ti: si Mikeli, i cili i krijon Zotit hapësira në shpirtin e njeriut që nganjëherë
tundohet të largohet nga Hyji; si Gabrieli, që e çon Krishtin në zemrën e njeriut;
si Rafaeli, mjeku që pastron dashurinë ndërmjet personave e që shëron verbërinë e
njeriut, i cili nuk është në gjendje t’i shikojë punët e qiellit. Këtë thekson liturgjia
e festës duke na shpjeguar se engjëjt janë lajmëtarë të Hyjit, ata ia sjellin Zotin
njerëzve, hapin qiellin e kështu hapin edhe tokën. Pikërisht nga që rrinë pranë Zotit,
engjëjt mund të qëndrojnë edhe pranë njeriut. Hapin qiellin e tokën e i tregojnë njeriut
kush është në të vërtetë, i zbulojnë atë, që nganjëherë është e fshehur dhe e varrosur
në shpirtin e tij. I bëjnë thirrje të hyjë në vetvete, duke e prekur nga ana e Zotit.
Në këtë edhe ne duhet të bëhemi vazhdimisht engjëj për njeri-tjetrin, engjëj që na
largojnë nga rrugët e gabuara e na tregojnë shtegun që na rikthen tek Zoti Dashuri. Duke
kujtuar Shën Rafaelin, shëruesin e plagëve në shpirtrat e njerëzve që nuk e njohin
ose nuk duan ta pranojnë të vërtetën dhe dashurinë e Zotit, sipas traditës kishtare
Kryeengjëlli njihet për shërimin e dashurisë njerëzore, sepse dëbon djajtë, që tronditin
bashkimin ndërmjet burrit e gruas. E veç kësaj, u kthen të verbërve dritën e syve:
“E
dimë të gjithë se sot kërcënohemi nga verbëria, që rrezikon të na pengojë për ta parë
Zotin, për ta shijuar dritën e tij, të verbuar siç jemi nga sendet materiale. E shërbimi
i Rafaelit është ta shërojë këtë verbëri përmes mesazhit të fesë dhe dëshmisë së dashurisë".
(Nga homelia e Benediktit XVI në Meshën e festës së Shenjtorëve Kryeengjëj, 29.09.
2007)
Kryeengjëlli Gabriel, që i kumtoi lindjen e Jezusit Nënës së tij, Virgjërës
Mari, është ai që shpreh dëshirën e Krishtit për të hyrë në zemrën e njeriut. Zoti
është tek porta, tek porta e botës e tek porta e çdo zemre. Gabrieli i solli Marisë
lajmin e amësisë së saj të jashtëzakonshme si dhe titullin “Hirëplote”, me të cilin
e përshëndeti Zojën e Bekuar. E Maria i dha një përgjigje që vijon të jehojë në zemrat
e të gjithëve:
“Duke qenë e dashur nga Zoti, Maria është plotësisht aktive,
sepse e pranon me gatishmëri personale valën e dashurisë që Hyji ndikon mbi të. Edhe
në këtë gjë ajo është nxënëse e përkryer e të Birit i cili, me nënshtrimin ndaj Atit,
realizon plotësisht lirinë e vet (...) Përballë misterit të këtyre dy përgjigjeve
“Ja ku jam” të Krishtit e të Virgjërës, që pasqyrohen njëra tek tjetra e formojnë
një Amen të vetëm përpara vullnetit të Zotit, ne mbetemi të mahnitur e, plot mirënjohje,
adhurojmë”. (Nga homelia e Benediktit XVI në Meshën më 25 .03. 2006).
Pra,
pranimi i lajmit të Engjëllit nga Maria, krijon kushtet që lidhja e Besës së re ndërmjet
Zotit e njerëzimit të vuloset në mënyrë të përkryer. E pikërisht në hapësirën hirplote
të përgjigjes së saj pohuese Maria bëhet edhe Nënë e Kishës, aq sa të përfshijë nën
mantelin e saj çdo institucion e mbarështues, edhe misionin e Pjetrit e të pasardhësve
të tij.