2009-09-29 15:30:04

Imzot Filoni në Radio Vatikan për festën e Kryengjëllit Gabriel: të jeni transmetues besnikë të lajmeve, pa manipulime


(29.09.2009 RV)RealAudioMP3 Atmosferë festive në Radio Vatikan, në solemnitetin e Kryengjëllit Gabriel, pajtor i emitentes sonë dhe i të gjithë personave që punojnë në telekomunikime. “Me shën Gabrielin kuptojmë se e vërteta nuk duhet t’u nënshtrohet qëllimeve dytësore, nuk duhet manipuluar e më keq akoma, ndryshuar”. Kështu u shpreh kryeipeshkvi Fernando Filoni, zëvendës i Punëve të Përgjithshme në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, gjatë meshës së kremtuar sot paradite në kapelën tonë. Pas meshës, iu dhanë dekorata disa prej punonjësve të Radios.
Të zbatosh logjikën e Zotit – nënvizoi gjatë homelisë imzot Filoni – i cili preferon të vegjlit e të varfërit, në fushën e komunikimeve shoqërore është një sfidë e jashtëzakonshme:
“Ja përse, edhe në mas media, Kisha ngul këmbë në mbrojtjen e më të dobtëve, në kërkimin e së vërtetës e të drejtësisë, në tutelimin e të drejtave të të fundmëve e të të pambrojturve, duke filluar që nga ata, që s’janë lindur akoma e deri te ata, që tashmë ndodhen në prag të vdekjes. Kisha bëhet zëri i atyre, që nuk kanë zë, zëdhënëse e atyre, që s’mund të arrijnë në tribunat e të pushtetshmëve, duke pasur gjithnjë parasysh se ç’na kërkon Zoti; nuk e ul kokën para kërcënimeve e presioneve të çdo lloji”.
Një detyrë e rëndësishme, që e bën punën e komunikimit një mision të ngjashëm me atë të engjëjve, “lajmëtarë të lajmëve të mira e të shpresës, ambasadorë të drejtësisë e të paqes, përkrahës të së vërtetës në dashuri”. Duke kujtuar dialogun ndërmjet Shën Marisë dhe Kryengjëllit Gabriel, imzot Filoni vuri në dukje se si “lajmi i marrë” duhet të jetë gjithnjë model për punën e gazetarit:
“Çdo gazetar e teknik i komunikimeve është i thirrur të jetë transmetues besnik dhe i drejtë i lajmeve, kultivues i kujdesshëm i së vërtetës, në respektimin e dinjitetit të çdo personi”.
Brenda fakteve që transmetoni – uroi prelati – të ndihet pasioni i Zotit për njeriun. Prandaj, është e nevojshme të kultivohet një etikë rigoroze, si në përdorimin e fjalëve, ashtu edhe të gjesteve, pasi komunikimi është mision e mjet i çmueshëm për shenjtërimin e jetës e për ungjillëzimin. Një detyrë, që na bën “njerëz të shpresës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.