2009-09-28 18:10:42

Bota të pasqyrojë bukurinë hyjnore: është mesazhi që la Papa në aeroportin e Pragës, para kthimit në Vatikan


(28.09.2009 RV)RealAudioMP3 Në orën 17.15, Papa Benedikti XVI ndodhej tashmë në aeroportin e Pragës, gati për nisjen në drejtim të Kastelgandolfos, rezidenca e tij verore. Në fjalimin e lamtumirës, Ati i Shenjtë përmendi një e nga një etapat e shtegtimit të tij të 13-të apostolik ndërkombëtar, duke falenderuar për mikpritjen autoritetet kishtare e civile dhe të gjithë pjesëmarrësit në takimet e shumta.
“Kisha e këtij vendi – tha Papa – me të vërtetë është bekuar me një aradhe të jashtëzakonshme misionarësh e martirësh, ashtu si edhe me shenjtorë kontemplativë, ndër të cilët dëshiroj të kujtoj në veçanti Shën Anjezën e Bohemisë, kanonizimi i së cilës, pikërisht 20 vjet më parë, lajmëroi çlirimin e këtij vendi nga shtypja ateiste”.
Po tani, ç’duhet të bëjë Çekia? Cila është rruga, që duhet të ndjekë vendi i çliruar nga komunizmi, por i mbërthyer në prangat e konsumizmit e të humbjes së identitetit, si shumë nga vendet e Lindjes? Benedikti XVI përdori një frazë të shkrimtarit të madh çek, Franc Kafka për të ilustruar shtigjet e reja:
“Sipas një fraze që i atribuohet Franc Kafkës, “Kush e ruan aftësinë për të parë të bukurën, nuk plaket kurrë” (Gustav Janosh, Bisedë me Kafkën). Nëse sytë tanë do të mbeten hapur para bukurisë së krijimit të Zotit dhe mendjet tona para bukurisë së të vërtetës së Tij, atëherë me gjithë mend mund të shpresojmë se do të mbetemi të rinj e do të ndërtojmë një botë, që të pasqyrojë diçka nga bukuria hyjnore dhe t’i frymëzojë brezat e ardhshëm të punojnë njëlloj”.
Zoti e bekoftë Republikën Çeke! Krishti Fëmijë i Pragës frymëzoftë autoritetet e familjet e kombit çek: këto qenë fjalët e fundit të Papës Benedikti XVI, i cili mbërriti në aeroportin e Ciampinos, afër Romës, rreth orës 20.00, për të shkuar më pas në Kastelgandolfo.







All the contents on this site are copyrighted ©.